Mjeku i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, Ali Lahu, është punëtori i radhës shëndetësorë i cili ua shtua listës së të infektuarve me Covid-19.
Si shumë kolegë të tjerë të cilët u infektuan nga Coronavirusi në krye të detyrës, edhe Lahu u prek nga kjo sëmundje për të cilën ka bërë të ditur me anë të një shkrimi në Facebook.
Përmes këtij postimi ai tha se profesioni i tij përveç që i sjell kënaqësi bart edhe rreziqet me vete.
Edhe Lahu do të jetë jashtë detyrës për 14 ditë pasi ka shkuar në vetizolim.
Statusi i plotë:
Të dashur miq,shokë dhe pacientë,
Duke ushtruar profesionin, përveç kënaqësisë që ai të sjell, njeriu merr edhe rreziqet që ai mund të ofrojë në situata të caktuara.
Sot, nga IKSHPK mora konfirmimin që jam pozitiv në COVID-19.
Andaj, pas këtij rezultati vendosa të vetizolohem, ndonëse për momentin nuk kam asnjë shqetësim shëndetësor.
Për fund, miq të respektuar, virusi është kudo: në ne, mes nesh dhe rreth nesh, andaj mos e nënçmoni!
Ruani distancën, bartni maskën,mbani pastërtinë.
Shihemi së shpejti! Shëndet! /Insajderi.com/