Ka ndërruar jetë ish-hendbollisti i njohur, Afrim Qorrolli.
Ish-hendbollisti, Afrim Qorrolli, nuk ka arritur t’i mbijetojë Coronavirusit. Ai në moshën 58 vjeçare ka ndërruar jetë.
Lajmin për vdekjen e tij e ka bërë të ditur Federata e Hendbollit e Kosovës. Presidenti i FHK’së, Eugen Saraçini, në emër të komunitetit të hendbollit i ka shprehur ngushëllime familjes Qorrolli dhe gjithë njerëzve të hendbollit në Shtime.
Qorrolli ka qenë karrierën e tij në Hendboll e kishte nisur në vitin 1976 dhe ka qenë pjese e sukseseve të kubit Vjosa si lojtari me më së shumti paraqitje te Vjosa.
Ai u pensionua si lojtar në vitin 2018. /Insajderi.com/
Njoftimi i Federatës së Hendbollit të Kosovës
Ka vdekur Afrim Qorrolli, personalitet i rëndësishëm i hendbollit dhe i sportit nga komuna e Shtimes. Qorrolli ka ndërruar jetë në moshën 58-vjeçare, por kontributi i tij dhe vlerat e tij do të kujtohen shumë gjatë. Komuniteti i hendbollit në përgjithësi dhe qyteti i Shtimes në veçanti kanë mbetur pa një person shumë të rëndësishëm.
Qorrolli ishte ngushtë i lidhur me klubin e Vjosës së Shtimes.
Afrimi ishte i lindur në Rashincë të Shtimes më 28 nëntor të vitit 1961. Kishte të kryer Fakultetin e Bujqësisë.
Karrierën në hendboll e kishte nisur te Vjosa në vitin 1976. Ishte inkuadruar për herë të parë në ndeshjen Lepenci – Vjosa. Deri në vitin 1990 ishte portier, por në mungesë të lojtarëve është aktivizuar edhe në pozita tjera si qendër, alo e bek. Në vitin 1991 ishte shpallur hendbollist i vitit nga Lidhja e Pavarur e Sporteve dhe po ashtu sportist i vitit në komunën e Shtimes. Me mirënjohje ishte shpërblyer edhe në vitet 1993, 1995, 1997 dhe 2000.
Ai ka qenë pjesë e të gjitha sukseseve të klubit Vjosa. Ishte lojtari me më së shumti paraqitje te Vjosa. Në vitin 2008 përfundoi karrierën si lojtar, por mbeti pjesë e rëndësishme e klubit Vjosa.
Në moshë të re kishte nisur të mësojë zejen e trajnerit. Kishte udhëhequr Vjosën si trajner në edicionet 1981\82 dhe 1982\83. Ka punuar edhe në shkollën e hendbollit të Vjosës si ndihmës trajner.
Në vitet nëntëdhjeta ka mbajtur poste të ndryshme të udhëheqësit sportiv në Komunën e Shtimes. Do të mbahet në mend edhe për aktivizimin e shumë klubeve sportive në Shtime. Ka udhëhequr Vjosën (femrat) në faza të ndryshme.
Afrimi nuk i është ndarë hendbollit deri në ditët e fundit të jetës. Dhe kontributi i tij ishte shumë i madh.
Presidenti i Federatës së Hendbollit të Kosovës, Eugen Saraçini në emër të komunitetit të hendbollit i ka shprehur ngushëllime familjes Qorrolli dhe gjithë njerëzve të hendbollit në Shtime.