Vjosa Osmani i bashkohet fushatës ndaj Apple “Vendoseni Kosovën në hartë”

Vjosa Osmani i bashkohet fushatës ndaj Apple “Vendoseni Kosovën në hartë”

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës Vjosa Osmani, është bërë pjesë e fushatës së iniciuar ndaj Apple, që Kosova të vendoset dhe të njihet vend në hartë.

Kjo fushtatë e nisur nga këngëtaret shqiptare me famë botërore, Dua Lipa dhe Rita Ora, ka për qëllim kërkesën e vetme që vendi ynë të ketë vend në hartë si shtet.

Por, kërkesa e pop-yjeve hasi në kundërshtime të shumta në Serbi, madje duke u akuzuar edhe për nxitje të urrejtjes.

Me këtë rast Osmani tha se aplikacionet e Apple, janë të zhvilluara edhe në Kosovë prandaj edhe vendi ynë është pjesë.

Kërkesa e të pares së Kuvendit është që Kosova të vendoset në hartë.

“E nderuar Apple, më 21 prill, ju lëshuat një deklaratë zyrtare për të informuar se shumë nga shërbimet tuaja më të dashura tashmë do të jenë të qasshme në 20 shtete më tepër, përfshirë Kosovën. Në mars, ju e bëtë Dua Lipën, super-yllin nga Kosova, imazh të listës A të popit në Apple Music”, ka shkruar ajo.

“Shumë nga aplikacionet tuaja në App Store janë zhvilluar në Kosovë, me shumë tjera që do të zhvillohen pasi ju i bëtë shërbimet tuaja të qasshme këtu. Apple, Kosova është qartazi pjesë e botës tuaj, të sigurohemi që të kemi mundësi ta shohim atë edhe në hartën tuaj”, ka përfunduar shkrimin e saj Osmani. /Insajderi.com/