Anëtari i PDK-së në Malishevë jep dorëheqje nga partia

Anëtari i PDK-së në Malishevë jep dorëheqje nga partia

Anëtari dhe aktivisti i Partisë Demokratike të Kosovës në Malishevë, Bekim Hoti, ka dhënë dorëheqje nga pozitat udhëheqëse të kësaj partie.

Këtë e ka bërë të ditur vetë Hoti, me anë të një shkrimi të publikuar në Facebook, ku ka treguar edhe arsyet e largimit.

Siç shkruan ai, një ndër këto arsye është edhe lufta e brendshme partiake.

“Në këtë far trendin aktual politik në Kosovë politika ka shkelur skajshmërisht mbi vlerat dhe ndërgjegjshmërinë e shoqërisë, fatkeqësisht është një lloj degjenerimi total. Paramendoni deri ku ka mbrri lufta e brendshme ose (lufta brenda llojit) në subjektin politik, mua personalisht më ka ndodhur të prishemi e të çoroditemi bash me mikun tim, kjo prishje kishte një qëllim, kish pas qenë në pyetje posti i nënkryetarit të parë të Degës së PDK-së në Malishevë”, ka shkruar Hoti.

Sipas tij, gjatë procesit të zgjedhjeve të brendshme që kishte pasur Dega e PDK-së, në Malishevë, gjatë vitit 2019, disa “të mjerë e të pa vlerë” siç i quan Hoti, kishin organizuar darka për të planifikuar ndarjen e posteve, “kush nënkryetar, kush sekretar e më pastaj si pazar për këto poste partiake, plani (B) se kush të votohet dhe kush të mos votohet për kryesinë e Degës”.

“Ajo çka është e çuditshme dhe të bën për t’u qeshur është se njërit nga ata të mjerët e të pavlerët që ishte pjesë e kësaj (pazar-darke) ia kishin pas hëngër fjalët për postin e premtuar dhe nga hidhërimi ka shpërthyer duke kokorizur me ankesa nëpër tavolina se gjoja si e kanë tradhtuar, duke bërë që këto plane të asaj (pazar-darke) në një mënyrë ose tjetër edhe të bëhen publike”, theksoi Hoti në postim. /Insajderi.com/