MSH e demanton lajmin se Zemaj e ka shkarkuar Gjocajn nga pozita e Sekretarit: Tregojnë arsyet e largimit të tij

MSH e demanton lajmin se Zemaj e ka shkarkuar Gjocajn nga pozita e Sekretarit: Tregojnë arsyet e largimit të tij

U raportua se Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, e ka shkarkuar nga pozita e Sekretarit të kësaj ministrie, Milazim Gjocajn, të cilin e emëroi vetëm, vetëm para 17 ditëve, pasi e shkarkoi Naim Bardiqin, por një gjë e tillë është demantuar nga zëdhënësi për komunikim i kësaj ministrie, Faik Hoti.

Hoti në një përgjigje për Insajderin, tha se Gjocaj nuk është shkarkuar, meqë ky i fundit ishte vetëm zëvendësues për disa ditë në këtë detyrë, ndërsa është larguar meqë kishte angazhime të tjera në Shërbimet Shëndetësore në Burgje.

“Z.Gjocaj nyk është shkarkuar, ai ka qenë zëvendësues për disa ditë në pozitën e UD Sekretarit të Përgjithshëm, ndërsa është larguar nga ajo detyrë për arsye të angazhimeve të tjera që i ka në Shërbimet Shëndetësore në Burgje dhe në sektorin privat në arsim gjithashtu”, ka thënë Hoti për Insajderin.

Në pozitën e Sekretarit të MSH-së, është rikthyer Ardian Mehmetaj, i cili ka qenë në këtë pozitë në kohën e ish-ministrit Imet Rrahmani.

Lajmin për emërimin e Mehmetajt në këtë pozitë e ka konfirmuar zëdhënësi i MSH-së Faik Hoti.

“Në vend të Sekretarit të Përgjithshëm është caktuar ushtrues detyre, Ardian Mehmetaj”, ka thënë tutje Hoti.

Mehmetaj ishte emëruar në pozitën e Sekretarit nga ish-ministri Rrahmani, pasi ish-sekretari i asaj kohe Gani Shabani ishte akuzuar në rastin “Stenta”.

Por Mehmetaj ishte larguar nga kjo pozitë kur në krye të MSH-së erdhi Uran Ismaili nga PDK, i cili në vend të tij emëroi Naim Bardiqin në vitin 2018. /Insajderi.com/