Pacolli: U sulmuam në korridorin e ndërtesës së Kuvendit, jashtë sallës ku u mbajt takimi

Pacolli: U sulmuam në korridorin e ndërtesës së Kuvendit, jashtë sallës ku u mbajt takimi

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli dhe Gazmend Gjyshinca, kanë thënë se janë sulmuar në hapësirat e Kuvendit nga deputetët e LDK-së, Kujtim Shala dhe Arben Gashi.

Në konferencën e mbajtur për media nga kjo parti, deputetja Pacolli ka thënë se qysh në fillim të mbledhjes ku po raportonte ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj, ka pasur tendencë për t’i ndalur, e mos lejuar të bëjnë pyetje.

“Na sulmuan në korridorin e ndërtesës së kuvendit jashtë sallës ku ne mbajtëm takim. Këto tregojnë se këta kanë kaluar në një stad ku nuk mund të na durojnë sepse kanë hyrë në një rrugë pa krye. Unë sapo kam parë që janë kthyer deputetët Shala e Gashi, e pas tyre qëndronte edhe Dorentina Maloku,kur e poash që ka kacafytje jam kthyer për të parë se çka po ndodh”, tha Pacolli.

Edhe deputeti Gazmend Gjyshinca, ka deklaruar se është sulmuar sot nga deputetët e LDK’së, Kujtim Shala e Arben Gashi.

“Na është pamundësuar fjala edhe në mbledhje, edhe në korridor, ku ka nisur sulmi, ka nisur sulme verbale, si nga kryetarja e komisionit, po ashtu edhe nga deputetët e LDK-së që nuk po ndodh për herë të parë”, është shprehur Gjyshinca.

“Unë mbeta pak më vonë pas mbledhjes së komisionit, sepse kisha dokumente të shumta, për shkak të kësaj kam mbetur me vonesë dhe në momentin kur kam dalë në korridor, i gjendur në befasi, jam sulmuar fizikisht nga Kujtim Shala dhe Arben Gashi. Kujtimit si koleg edhe gjatë debatit i jam drejtuar me konsideratën më të lartë si profesor”, tha Gjyshinca.

Kjo është procedurë që e ka nisur policia që gjendet në zyrë të grupit, ne do të paraqesim rastin, kam marrë lëndime fizike që janë faktuar si pasojë e goditjeve, ka pasur tentativë që të më gjuajnë drejt hollit të Kuvendit që të qërojnë hesape”, përfundoi ai. /Insajderi.com/