Maqedonia e Veriut: Mbledhje konstituive e Kuvendit të martën në mesditë

Autor: Urim Hasipi

Maqedonia e Veriut: Mbledhje konstituive e Kuvendit të martën në mesditë

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së veriut, Talat Xhaferi e nënshkroi Vendimin për thirrje të mbledhjes së parë – konstituive të përbërjes së re parlamentare dhe ajo do të mbahet të martën me fillim në orën 12:00 në sallën e madhe kuvendore Kupola e madhe, njofton Insajderi.

“Duke e marrë parasysh gjendjen e re të krijuar me pandeminë e Covid-19 dhe në pajtim me rekomandimet nga Komisioni për sëmundje ngjitëse, mbledhja kosntituive do të zhvillohet sipas protokolleve dhe kritereve të cilat janë caktuar në koordinimin paraprak me kryetarin e Komisionit për sëmundje ngjitëse, Zharko Karaxhoski, me qëllim të vetëm që të ulet rreziku nga përhapja e mundshme e infektimit nga Coronavirusi”, kumtoi sot shërbimi kuvendor për informim.

Nga atje saktësojnë se deputetëve, mysafirëve dhe përfaqësuesve të mediumeve, gjatë hyrjes në ndërtesën e Kuvendit do t’u matet temperatura e trupit, pas çka do t’u mundësohet të hyjnë në ndërtesë.

Në të gjitha hyrjet do të sigurohen mjete për dezinfektim.

“Meqenëse bëhet fjalë për rrethana të jashtëzakonshme dhe është e domosdoshme mbajtja e distancës së obligueshme fizike mes deputetëve, mbledhja konstituive do të mbahet në Sallën e madhe të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, përkatësisht në sallën e njohur në opinion si Kupola e madhe”.

“Deputetët do të jenë në distancë adekuate dhe do t’u sigurohet pajisje mbrojtëse. Votimi i mbledhjes do të zhvillohet me dorë (me kartonë), ndërsa nga mbledhja do të ketë transmetim të drejtpërdrejtë në Kanalin kuvendor të Servisit nacional radiodifuziv RTM”, paralajmëron shërbimi kuvendor.

Transmetimin e mbledhjes konstituive mysafirët do ta ndjekin nga salla plenare “Maqedonia”, ku do të sigurohet distanca e domosdoshme fizike.

Gjatë ditës, në të gjitha hapësirat ku ka aktivitete, pas përfundimit të tyre do të bëhet dezinfektimi. Në pajtim me rekomandimet e Komisionit për sëmundje ngjitëse dhe për përfaqësuesit e mediumeve do të vlejnë protokolle të caktuara për ndjekje të mbledhjes konstituive, me qëllim që të ulet rreziku nga përhapja e Coronavirusit.

Që të evitohet grupimi më i madh, mbledhjen konstituive do të mund ta ndjekin më së shumti nga dy përfaqësues nga secili medium. Në pajtim me rekomandimet e Komisionit për sëmundje ngjitëse, kapaciteti i hapësirës lejon më së shumti 50 përfaqësues të mediumeve.

“Në pajtim me rekomandimet e Komisionit për sëmundje ngjitëse, në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut nuk do të punojnë Klubi i deputetëve, restoranti dhe bufeja që ndodhe në pres qendrën.

Me qëllim që të sigurohet mbrojtje më e madhe shëndetësore, ndërkaq duke e pasur parasysh atë se bëhet fjalë për ngjarje të madhe, e cila do të zhvillohet në ambient të mbyllur, të gjithë të pranishmëve në ndërtesë u rekomandohet ta kufizojnë lëvizjen nëpër ndërtesë dhe vazhdimisht të mbajnë maskë mbrojtëse”, informojnë nga shërbimi kuvendor për shtyp./Insajderi.com