Ministria e Shëndetësisë shpall konkurs për 1034 specializime në mjekësi

Armend Zemaj: Dduke qenë të vetëdijshëm që numri i profesionistëve shëndetësor që presin të profilizohen në lëmi të veçanta specialistike është mjaftë i madh, ne kemi shfrytëzuar të gjitha mundësitë ligjore dhe buxhetore, për të krijuar numër maksimal të vendeve për shkollim specialistik.

Ministria e Shëndetësisë shpall konkurs për 1034 specializime në mjekësi

Ministria e Shëndetësisë ka shpallur sot konkursin për 1034 specializime në lëmit e ndryshme mjekësore, njofton Insajderi.

Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj tha se ky proces ka qenë i bllokuar për 4 vite, ndërsa krahas luftës së përditshme dhe shumë sfiduese me pandeminë, MSH-ja ka punuar paralelisht edhe në procese të tjera, me interes të madh për shëndetësinë kosovare.

Ai theksoi se për 4 vite, 4 gjeneratave u është mohuar specializimi, duke shkaktuar kështu deficit të kuadrove profesionale në shumë lëmi specialistike, tejet të nevojshme për sistemin shëndetësor të Kosovës.

“Prandaj, duke qenë të vetëdijshëm që numri i profesionistëve shëndetësor që presin të profilizohen në lëmi të veçanta specialistike është mjaftë i madh, ne kemi shfrytëzuar të gjitha mundësitë ligjore dhe buxhetore, për të krijuar numër maksimal të vendeve për shkollim specialistik. Prandaj sot, shpallim të hapur konkursin për 1034 vende për shkollim specialistik, një numër rekord që nuk ka ndodhur deri më sot në vendin tonë!”, tha Zemaj.

Ai shpjegoi se në këtë konkurs janë ndarë dy kategori të specializimeve.

“Në kategorinë e parë janë përfshirë profilet specialistike me interes nacional, specializime që janë të nevojshme në luftën kundër COVID-19, me ç ‘rast, këta mjek dhe specializantë të ardhshëm, menjëherë do të kyçen në institucionet shëndetësore, duke ndihmuar kështu kolegët e tyre, të cilët sigurisht se janë të dërrmuar nga oraret e gjata dhe rrezikshmëria e lartë në të cilën ushtrojnë çdo ditë profesionin e tyre! Në kategorinë e dytë janë lëmit e tjera specialistike, të cilat jo drejtpërdrejtë janë të ndërlidhura me luftën kundër pandemisë, por që vazhdojnë të jenë të nevojshme dhe shumë të rëndësishme për shërbimet shëndetësore në Kosovë”.

Rëndësi të veçantë, theksoi më tej Ministri Zemaj, i kemi kushtuar edhe kërkesave të Spitaleve Rajonale, me ç ‘rast kemi ndarë mbi 100 specializime në lëmit deficitare.

“Natyrisht, për shkak të bllokimit disavjeçarë të këtij procesi, kërkesa është shumë e madhe, por Ne nuk do të ndalemi këtu, sepse sipas programit tonë, specializimet do të hapen çdo vit, prandaj gjatë mandatit tim politik, nuk do të mbetet asnjë kandidat pa mundësi të shkollimit specialistik. E në të njëjtën kohë çdo institucion shëndetësorë do të plotësohet me specialistë të profileve të nevojshme”.

Ministri shpjegoi më tej se përveç hapjes së konkursit, kemi emëruar edhe komitetet e reja specialistike, nga të cilët kemi kërkuar që të hartojnë plan-programe specialistike, konform standardëve më të mira ndërkombëtare./Insajderi.com