Kosova dhe Agjencia e Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit, EUROPOL, të hënën (27 korrik), nënshkruan Marrëveshje të Punës, që ka për qëllim luftimin e krimeve të rënda.
“Marrëveshja e Punës prezanton një sistem të sigurt për shkëmbimin e informacionit dhe lidh Kosovën me autoritetet e zbatimit të ligjit të shteteve anëtare të BE-së dhe me vendet dhe organizatat e palëve të treta, të lidhura me EUROPOL-in”, thuhet në një deklaratë të dhënë për Radion Evropa e Lirë nga kjo agjenci.
Nga kjo organizatë po ashtu shtojnë se kjo marrëveshje i jep mundësi Kosovës që të vendosë një oficer ndërlidhës në selinë e EUROPOL-it në Hagë.
Marrëveshje ende nuk është bërë publike, por, sipas njoftimeve të mëhershme, ajo parasheh bashkëpunim midis EUROPOL-it dhe Policisë së Kosovës, Doganave të Kosovës, Administratës Tatimore dhe njësive për parandalimin e pastrimit të parave, shkruan Radio Evropa e Lirë.
Bazuar në këtë Marrëveshje Pune, Kosova do të krijojë një zyrë qendrore për bashkëpunim me EUROPOL-in dhe do të fitojë qasjen në kanalin e komunikimit me këtë agjenci, si dhe mundësinë e dërgimit të oficerëve ndërlidhës në selinë e EUROPOL-it në Hagë.
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Agim Veliu, që e nënshkroi këtë marrëveshje, tha se “Policisë së Kosovës dhe agjencive të zbatimit të ligjit tash do t’iu ofrohen mjetet e nevojshme dhe të domosdoshme për të goditur fuqishëm kriminalitetin transnacional”./Insajderi.com