Ziadin Sela dyshon në sinqeritetin e Ali Ahmetit – “ai është shqiptar sezonal”

Ziadin Sela dyshon në sinqeritetin e Ali Ahmetit – “ai është shqiptar sezonal”

Njëjtë sikurse partia Alternativa, po ashtu edhe Aleanca për Shqiptarët i kanë lejuar Bashkimit Demokratik për Integrim që të tentojë të jetë pjesë e qeverisë me premtimin që kryeministri të jetë shqiptarë.

Por, kreu i ASH-së, Ziadin Sela, dyshon në sinqeritetin e Ali Ahmetit.

“Ali Ahmeti nuk është për t’i besuar. Qeverisja bashkë me BDI-në nuk do të thotë demokraci”, thotë Sela.

Ky është qëndrimi i kreut të Aleancës për Shqiptarët Ziadin Sela i pyetur për një koalicion të mundshëm bashkë me integristët.

“A është për t’i besuar Ali Ahmetit, jo, nuk është për t’i besuar! Sepse ai hyn në një rrugë me këta dhe të le pastaj në mes të rrugës. Sepse ai të le vetëm kur ka Ministrin e Punëve të Brendshme të përballesh me turmë huliganësh, sepse struket diku dhe llogaritë të ketë një kundërshtar politik më pak në 27 prill, sepse ai është shqiptar sezonal, gjatë gjithë fushatës edhe më herët, se në zgjedhjet lokale të bëhet bashkë edhe me dreqin, vetëm e vetëm që ta mbajë pushtetin”.

“Pushteti është qëllimi i Ahmetit”, asgjë tjetër, tha Sela.

Ai shtoi se koalicioni “Tash është koha” ka kontakte me partitë tjera për formimin e Qeverisë, por thotë se do të presin fillimisht BDI-në që ta realizojë sipas tij premtimin e vetëm që kishin në zgjedhje.

VMRO dhe LSDM deri tani kanë thënë se janë në bisedime me të gjitha partitë për të siguruar shumicën për formimin e Qeverisë. Seanca konstituive e Kuvendit të Maqedonisë së veriut është caktuar për 4 gusht./Insajderi.com