Zemaj në Gjakovë: Mos të manipulohet me numrin e vdekjeve

Zemaj në Gjakovë: Mos të manipulohet me numrin e vdekjeve

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka vizituar spitalin e Gjakovës, ku ka falënderuar stafin që po vazhdon angazhimin maksimal edhe në ditë feste, ndërsa ka apeluar që situata me pandeminë të mos përdoret politikisht.

“Që ky sistem të mos rëndohet, bëj thirrje për kujdes të shtuar dhe gjithashtu apeloj që kjo situatë të mos përdoret politikisht e të mos manipulohet me numrin e vdekjeve”, ka deklaruar Zemaj.

Ministri shtoi se “beteja jonë politike nuk duhet të bëhet në këtë situatë të brishtë”.

Zemaj gjithashtu u ka shprehur ngushëllime tri familjeve të viktimave të djeshme nga COVID-19.

“Dje, në komunën e Gjakovës, fatkeqësisht janë shënuar 3 viktima, familjeve të të cilave u shpreh ngushëllimet më të sinqerta.  Në mesin e të vdekurve ishte edhe mjeku dhe anëtari i Kuvendit të Odës së Mjekëve të Kosovës, z. Kujtim Zarari. Të gjitha humbjet janë të dhimbshme, por kur humbin njerëzit e vijës së parë në front, dobësohet i gjithë sistemi që po lufton çdo ditë për të na shpëtuar”./Insajderi.com