“Numri rritet, interesimi bie”

Reagon Bekim Haxhiu në lidhje me situatën me Covid-19

Reagon Bekim Haxhiu në lidhje me situatën me Covid-19

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, ka kritikuar qeverinë aktuale e cila udhëhiqet nga Avdullah Hoti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, si dhe qeverinë paraprake e cila është udhëhequr nga Albin Kurti i Vetëvendosjes, njofton Insajderi.

Haxhiu në profilin e tij në Facebook, ka thënë se situata është kritike, duke listuar një sërë faktorësh, si rritja e numrit të të infektuarve, mungesa e kapaciteteve në spitale për të trajtuar pacientë të infektuar, humbjen e jetëve të mjekëve etj.

“Situata me pandeminë është kritike, buzë kolapsit! 1650 raste pozitive dhe 63 raste të vdekjes janë regjistruar vetëm në javën e fundit. Numri i rasteve aktive ka arritur në 3525, QKUK dhe spitalet rajonale janë të stërmbushura me pacientë”, thotë Haxhiu.

“Personeli shëndetësorë tani e 5 muaj po e bëjnë maksimumin në përkujdesjen ndaj pacientëve por është stërlodhur për shkak të mbi ngarkesës, 5 mjek kanë humbur jetën në betejë me Coronavirusin dhe 765 profesionist shëndetësorë janë infektuar me COVID-19”.

Më pas Haxhiu ka shtuar se “kjo situatë ku jemi sot ka ardhur si pasojë e lirimit të masave pa një plan strategjik, e ku fajtorë sipas tij janë Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila udhëheq aktualisht me qeverinë, si dhe Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka udhëhequr që nga fillimi i pandemisë e deri te lirimi i masave anti-Covid”.

Në fund ai ka bërë thirrje që të reagohet sa nuk është bërë vonë, duke apeluar te qytetarët që të bëjnë kujdes meqë institucionet që e kanë përgjegjësi menaxhimin e kësaj situate, nuk janë të shqetësuar për fatin e shëndetit publik.

Kosova, ditëve të fundit ka shënuar rritje të ndejshme të rasteve pozitive me Covid-19, si dhe numri i vdekjeve ka qenë gjithashtu i madh, e sidomos në dy ditët e fundit, ku kanë vdekur 32 persona si pasoje e infektimit me Coronavisurs./Insajderi.com