Edhe me një tjetër spital për pacientët me COVID-19 në Kosovë

Edhe me një tjetër spital për pacientët me COVID-19 në Kosovë

Si rezultat i numrit të madh të të infektuarve me Coronavirus gjatë javëve të fundit, autoritetet përgjegjëse po shqyrtojnë mundësinë e krijimit edhe të një spitali tjetër Covid-19 në vend, njofton Insajderi.

Paraprakisht, si masë e riorganizimit, Ambulanca Specialistike në QKUK pritet që shumë shpejt të kthehet në një ambulancë COVID-19, ku do kenë mundësi të trajtohen të gjithë pacientët që kanë simptoma të këtij virusi.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi, në një intervistë për KosovaPress thotë se tashmë kjo ambulancë është e gatshme për të ofruar shërbime.

Krasniqi thotë se gjendja me Coronavirus në vend është duke u rënduar çdo ditë e më shumë. Sipas tij nga gjithsej 600 pacientë sa janë të shtrirë në klinikat e QKUK-së dhe spitalet regjionale, 400 prej tyre janë me oksigjenoterapi.

E duke e parë që gjendja po rëndohet ushtruesit i detyrës së drejtorit të SHSKUK-së, Valbon Krasniqi thotë se janë duke i shqyrtuar mundësitë e zgjerimit të hapësirave brenda në QKUK.

Madje ai deklaron se Ministria e Shëndetësisë dhe qeveria kanë shqyrtuar mundësinë e krijimit të një spitali COVID19 jashtë QKUK-së me qëllim të trajtimit të të prekurve me Coronavirus./Insajderi.com