Rreth 18 mijë qifte janë kurorëzuar brenda një viti në Kosovë

Rreth 18 mijë qifte janë kurorëzuar brenda një viti në Kosovë

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), bën të ditur në të dhënat e saj se në Kosovë, përgjatë vitit 2019, janë kurorëzuar 17 mijë e 577 qifte-bashkëshortore.

Siç bëhet e ditur në këto të dhëna të ASK-së, mosha mesatare e të martuarve ishte 29.5 vjeçare. Prej tyre, mosha mesatare e meshkujve ishte 31 vjeç, ndërsa ajo e femrave ishte 28 vjeç.

Sipas grup-moshave, dominojnë kurorëzimet te femrat e moshës 20-24 vjeçare me 5 750 kurorëzime, ose 32.7%. Ndërsa, te meshkujt dominon mosha 25-29 vjeçare me 5 663, ose 32.2%.

Numri më i madh i kurorëzimeve ishin në komunën e Prizrenit me gjithsej një mijë e 646 kurorëzime ose 8.8%, duke u pasuar nga komuna e Prishtinës me një mijë e 364 kurorëzime ose 7.3%, në komunën e Ferizajt një mije e 123 kurorëzime ose 6.0%, etj.

Sa i përket përgatitjes shkollore, dominojnë femrat dhe meshkujt me shkollë të mesme, ku numri i femrave të kësaj kategorie ishte 10 757, ose 61.2% dhe numri i meshkujve ishte 11 983, ose 68.2%. /Insajderi.com/