Përgjaken rrugët e Mitrovicës, përleshje mes disa personave

Përgjaken rrugët e Mitrovicës, përleshje mes disa personave

Një rrahje brutale mes disa personave raportohet të ketë ndodhur sot në qytetin e Mitrovicës, njofton Insajderi.

Në qendër të këtij qyteti ka ndodhur një përleshje, ku një grup të rinjsh kanë rrahur një person, duke i shkaktuar këtij të fundit lëndime të rënda trupore.

Nga fotografitë e publikuara në vendin e ngjarjes, shihet se një veturë e cila është e parkuar, ka njolla gjaku.

Zëdhënësi i policisë për rajonin e Mitrovicës, Avni Zaiti, në një përgjigje për Insajderi-in, ka thënë se kjo rrahje ka ndodhur rreth orës 18:00, në rrugën “Mbretëresha Teutë”, të kësaj komune.

Ai tutje ka shtuar se për këtë rast janë duke u intervistuar tre persona të dyshuar, ndërsa dy persona të tjerë kanë kërkuar trajtim mjekësor.

“Një rrahje ndërmjet disa personave është raportuar rreth orës 18:00, në rrugën “Mbretëresha Teutë” në Mitrovicë, lidhur me rastin aktualisht policia është duke intervistuar tre persona në cilësi të të dyshuarve, ndërsa dy persona tjerë kanë kërkuar tretman mjekësor. Rasti është duke u trajtuar”, ka thënë Zaiti. /Insajderi.com/