Projektligji për vlerat e luftës, i cili parasheh përcaktimin e obligimit institucional dhe qytetar për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së, pritet të dalë së shpejti për votim në Kuvendin e Kosovës, pavarësisht kundërshtimeve të fundit të ambasadorit të SHBA-së, Philip Kossnet, njofton Insajederi
Ambasadori amerikan të mërkurën ka dalë kundër këtij ligji, duke e cilësuar atë të shtrenjtë dhe mënyrë jo të duhur për të treguar respekt për UÇK-në.
E me këto kritika nuk janë pajtuar përfaqësuesit e Organizatës së Veteranëve të Luftës. Nasim Haradinaj, nënkryetar i OVL-së, ka thënë se “janë habitur me reagimin e Kossnetit, duke qenë se ai në një takim të mbajtur me OVL-në e kishte mbështetur këtë nismë”, raporton KTV-ja.
Më 14 korrik, Qeveria e Kosovës ka mbështetur Projektligjin për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së, duke e proceduar në Kryesinë e Kuvendit të Kosovës.
Se duhet proceduar tutje në Kuvendin e Kosovës këtë projektligj ka thënë edhe deputeti i AAK-së, Rasim Selmanaj. Ai ka theksuar se, “pavarësisht kritikave që vijnë në këtë drejtim, ligji për mbrojtjen e vlerave të UÇK-së duhet shtyrë përpara”.
Ndonëse ende nuk duhet data se kur ky projektligj do të dalë para deputetëve, javë më parë, Kuvendi i Kosovës ka miratuar edhe një rezolutë që ka për qëllim mbrojtjen e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës./Insajderi.com