Sindikata e infermierëve, mamive dhe profesionistëve të tjerë shëndetësorë, nesër, më 3 gusht do të protestojë para Qeverisë së Kosovës, për shkak të mosaprovimit të kërkesës së tyre lidhur me rritjen e pagesës për ndërrimin e natës.
Sekretari i kësaj sindikate, Enlirat Duraku, ka thënë se kërkesat e tyre nuk po merren parasysh nga qeveria.
“Sindikata e Infermierëve dhe Mamive me kohë ka parashtruar kërkesën për rritjen e pagesës për ndërrimin e natës për infermierë. Kjo kërkesë ka mbetur e pashqyrtuar. Tani ne jemi detyruar që ta organizojmë një protestë simbolike paqësore sepse vendi ynë po kalon periudhën e pandemisë. Protesta do të fillojë në ora 10:00 dhe do të jetë protestë simbolike”, tha Duraku.
Sipas tij, propozimet që po bëhen në emër të komunitetit, të infermierëve, mamive dhe profesionistëve të tjerë shëndetësorë nuk paraqesin vullnet, sepse institucionet e vendit nuk janë konsultuar me ta.
“Sinqerisht propozimet që po bëhen në emër të komunitetit infermierë, mami dhe profesionistë shëndetësor nuk paraqesin vullnetin sepse nuk jemi të konsultuar, mirpo nëse do të ishim të konsultuar secili do të jepte kontributin tij”, shtoi ai për EO.
Sipas Durakut, shqetësimi më i madh për të mbeten punonjësit shëndetësorë të infektuar me koronavirus.
“Populli jonë njihet si popull human dhe është i mirëseardhur për komunitetin tonë. Shqetësimi im më i madh janë 300 të infektuarit infermierë që kanë mbetur pa mbështetje insitucionale”, përfundoi ai. /Insajderi.com/