BE mirëpret çdo iniciativë të SHBA-së në dialogun Kosovë-Serbi

BE mirëpret çdo iniciativë të SHBA-së në dialogun Kosovë-Serbi

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka thënë se për dialogun Kosovë-Serbi, është i domosdoshëm bashkëpunimi me partnerët nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe se Uashingtoni dhe Brukseli kanë të njëjtat qëllime për rajonin.

Stano ka thënë se BE mirëpret përfshirjen e palëve të treta në përpjekjet për të ndihmuar Kosovën dhe Serbinë drejt arritjes së një marrëveshje.

“Kur bëhet fjalë për përfshirjen e palëve të treta në përpjekjet për të ndihmuar Kosovën dhe Serbinë për t’u pajtuar për një normalizim gjithëpërfshirës të raporteve të tyre, ne mirëpresim të gjithë iniciativat në mbështetje të dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Për BE’në, SHBA’ja është një partner i rëndësishëm. Ne kemi të njëjtat synime për rajonin, dhe mbështetja e SHBA’së që ofrohet për dialogun e lehtësuar nga BE është e mirëseardhur dhe ne komunikojmë me partnerët tonë nga SHBA gjithashtu edhe për këtë çështje”, ka thënë Stano për Express.

Nga ana tjetër, Koordinatori Shtetëror për Dialog, Skender Hyseni, pas disa takimeve në Evropë, ai gjatë ditës së hënë ka qëndruar për një vizitë edhe në SHBA.

Në Uashington ai është takuar me Përfaqësuesin Special të SHBA’së për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer dhe zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë.

Por, Palmer, sipas fjalëve të Hysenit, nuk ka thënë se SHBA do të jetë formalisht pjesë e bisedimeve por do t’i qëndrojë afër Kosovës. /Insajderi.com/