Përveç transmetimit në Facebook, ku sot nisi me produktin e parë, “TVV”- televizioni i krijuar nga Lëvizja Vetëvendosje së shpejti do të transmetohet edhe në një platformë tjetër online, njofton Insajderi.
Ky medium televiziv i hapur për herë të parë nga subjektet politike në Kosovë, shumë shpejt do të fillojë transmetimin e tij edhe në Youtube.
“Nga sot kemi filluar me TVV. Këtë medium mund ta gjeni tash e tutje në Youtube”, ka konfirmuar përmes një postimi të shkruar në Facebook, Arianit Beqiri, asistenti i Albin Kurtit.
Lidhur me këtë iniciativë, gjatë ditës së sotme është deklaruar edhe anëtarja e Kryesisë së LVV-së, Albulena Haxhiu, e cila tha se ideja e kësaj nisme është që të paraqiten qëndrimet e subjektit politik për çështje të caktuara.
“E respektojmë punën që bëjnë mediat dhe gazetarët në Kosovë, por e kemi parë të rëndësishme që ta bëjmë edhe një televizion, ku shpalosim qëndrimet tona, nëse jemi të ftuar në ndonjë medium, ndonjëherë nuk mund t’i përçojmë të gjitha mesazhet e Lëvizjes Vetëvendosje”, ka thënë ajo në Klan Kosova të enjten. /Insajderi.com/