Kryeshefi ekzekutiv i Komisionit të Pavarur të Mediave, Luan Latifi, ka thënë se krijimi i televizionit “TVV”, nga Lëvizja Vetëvendosje është kërcënim për demokracinë, njofton Insajderi.
Latifi me anë të një postimi në Facebook, është shprehur se hapja e këtij televizioni nga një parti politike është shpërfillje e të drejtës për liri të shprehjes dhe cenim i të drejtës së qytetarëve për informim në mënyrë të pavarur, të drejtë dhe të paanshme.
“Në një shtet demokratik, një parti politike të mbajë në pronësi një televizion (çoftë edhe vetëm në platformat online, për të cilat KPM nuk ka mandat të rregullimit) është kërcënim për demokracinë; shpërfillje e të drejtës për liri të shprehjes; dhe cenim i të drejtës së qytetarëve për informim në mënyrë të pavarur, të drejtë dhe të paanshme”, ka shkruar Latifi.
Ai tutje u ka bërë thirrje Kuvendit të Kosovës që të iniciojë ndryshimin e Ligjit për KPM-në për ta bërë funksional organin vendimmarrës të këtij institucioni.
“I bëj thirrje Kuvendit të Republikës së Kosovës që të iniciojë ndryshimin e Ligjit për KPM-në, e njëkohësisht, të veprojë me urgjencë në emërimin e tre (3) anëtarëve të KPM-së, për ta bërë funksional organin vendimmarrës të këtij institucioni” ka shkruar kryeshefi i KPM-së. /Insajderi.com/