ATK: Ende nuk dihen shifrat për bizneset e mbyllura dhe rënie të punësimit gjatë pandemisë

ATK: Ende nuk dihen shifrat për bizneset e mbyllura dhe rënie të punësimit gjatë pandemisë

Drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezaj, ka thënë se ende nuk ka të dhëna zyrtare për dëmet e shkaktuara nga Coronavirusi, në numrin e bizneseve të mbyllura dhe numrin e punëtorëve të cilët kanë humbur vendet e punës në pandemi, njofton Insajderi.

Ai ka thënë se qarkullimi i bizneseve nga marsi deri në qershor ka rënë për 833 milionë euro.

Drejtori i ATK-së, tutje ka shtuar se mund të ketë biznese që kanë pushuar aktivitetin e tyre, por zyrtarisht janë biznese aktive dhe nuk kanë parashtruar kërkesë për mbyllje të bizneseve.

“Bizneset e falimentuara, realisht nuk kemi një proces i cili mund të pasqyrojë, sepse është një periudhë ende e shkurtë që bizneset edhe të fillojnë të mbyllin proceduralisht veprimtaritë ose aktivitetet e tyre. Mund të ndodhë që kanë pushuar aktivitetin, por zyrtarisht janë biznese aktive dhe nuk kanë parashtruar kërkesë për mbyllje të bizneseve. Pritjet janë që do të kemi në periudhën e dytë të vitit nëse veç vazhdon kjo krizë e rëndë ekonomike. Mirëpo, duke shpresuar në planin e qeverisë për rimëkëmbjes ekonomike dhe zbatimin e plotë të pakos emergjente fiskale, shpresat janë që të ringjallet sado pak qarkullimi tek bizneset dhe konsumi. Andaj në këtë drejtim është ende herët të nxirët një konstatim se sa është realisht efekti si në rënie të shifrave të të punësuarve, po ashtu edhe te bizneset e mbyllura”, theksoi Murtezaj.

Me planifikim të buxhetit të rishikuar është paraparë që ATK-ja të inkasoj vetëm 2,5 përqind më pak me planin vjetor, që sipas Murtezajt është dashur që parashikimi të jetë edhe më i ulët për shkak të aktivitetit të bizneseve në pandemi. /Insajderi.com/