Vuçiq tregon kur do të jetë takimi i radhës me Hotin dhe çfarë do të kërkojë

Vuçiq tregon kur do të jetë takimi i radhës me Hotin dhe çfarë do të kërkojë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është deklaruar rreth takimit të radhës të nivelit të lartë në Bruksel, midis tij dhe kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, njofton Insajderi.

Vuçiq ka konfirmuar se ky takim do të mbahet më datë 7 shtator, për çka kreu i shtetit serb thotë se do të kërkojë implementimin e marrëveshjeve të vitit 2013, ndër të cilat bën pjesë edhe Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe.

“Ajo që më shqetëson është se ne nuk po flasim për probleme reale dhe thelbësore. Kjo është arsyeja pse pala serbe do të kërkojë më 7 shtator, kohë edhe kur besoj se do të vazhdojë dialogu, se çfarë ka ndodhur me themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe”, ka thënë Vuçiq.

I pari i Serbisë tutje shtoi se Beogradi pret një veprim konkret rreth kësaj çështje, dhe më pas pasi të shohin veprimet e Prishtinës do të vendosin se si do të vazhdohet tutje.

“Ne nuk do ta lëmë dialogun, por duam një dialog të vërtetë, dhe jo një dialog në të cilin ata do të na tregojnë çdo ditë se si duhet ta pranojmë Kosovën”, ka shtuar Vuçiq. /Insajderi.com/