Pas hapjes së kanalit televiziv “TVV” nga Lëvizja Vetëvendosje, ka reaguar edhe Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ), njofton Insajderi.
Sipas kësaj kësaj organizate, krijimi i këtij televizioni nga një parti politike, nuk përbënë gazetari. EFJ e ka quajtur këtë televizion propagandë.
“Televizioni i ri online TVV në Kosovë, i krijuar drejtpërdrejtë nga një parti politike. Kjo nuk është gazetari. Kjo është propagandë në shërbim të politikanëve”, thuhet në shkrimin e EFJ-së të publikuar në Twitter.
Federata Evropiane e Gazetarëve është organizata më e madhe e gazetarëve në Evropë, që përfaqëson rreth 320,000 gazetarë në 71 organizata gazetarësh përbrenda 43 vendeve, ndërsa ka selinë në Bruksel.
Ndërkaq, gjatë ditës së djeshme, LVV ka publikuar një intervistë me nënkryetarin e kësaj partie, njëherësh edhe ish-ministër i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi, si prodhim i parë i këtij televizioni.
Lidhur me këtë nismë dje është deklaruar edhe anëtarja e Këshillit të VV-së, Albulena Haxhiu, e cila në Info Magazine të Klan Kosovës, tha se krijimi i këtij kanali televiziv ka për qëllim të paraqitjes së qëndrimeve të kësaj partie për çështje të caktuara.
“E respektojmë punën që bëjnë mediat dhe gazetarët në Kosovë, por e kemi parë të rëndësishme që ta bëjmë edhe një televizion, ku shpalosim qëndrimet tona, nëse jemi të ftuar në ndonjë medium, ndonjëherë nuk mund t’i përçojmë të gjitha mesazhet e Lëvizjes Vetëvendosje”, ka thënë ajo. /Insajderi.com/