Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Përparim Kryeziu, ka dhënë sqarime në lidhje me televizionin e krijuar nga kjo parti, e që ngjalli reagime të shumta, njofton Insajderi.
Kryeziu ka thënë se TVV nuk do të jetë i ngjashëm me televizionet klasike, madje nuk do të ketë as frekuenca nacionale dhe as skemë programore.
“TVV është një projekt i Lëvizjes Vetëvendosje, i cili nuk është as përafërmi i ngjashëm me televizionet klasike. Nuk ka e as nuk do të ketë frekuenca nacionale, skema programore apo tipare tjera çfarë e karakterizon një televizioni konfencional”
“Ai është paraparë kryesisht si një hapësirë shtesë një platformë tjetër, nëpërmjet së cilës Lëvizja Vetëvendosje dhe zyrtarët e saj prezantojnë aktivitetet dhe qëndrimet e tyre”, është shprehur Kryeziu.
Ai tutje ka shtuar se krijimi i këtij televizioni, i cili do të transmetohet në Youtube, nuk është as reagim dhe as kritikë ndaj punës së medieve, ndërkohë që LVV do të vazhdojë të bashkëpunojë me mediet edhe në të ardhmen ashtu siç ka bërë deri më sot.
“Nuk është kritikë ndaj medieve, është vetëm një vazhdimësi e produkteve të formave të komunikimit që Lëvizjes Vetëvendosje i ka me qytetarët e Republikës së Kosovës, ngjashëm sikur që ka pas aktivitetet të tilla brenda faqes në Facebook të saj”.
“Bashkëpunimi do të vazhdoj me media, ashtu siç ka vazhduar edhe në të kaluarën. Gjithçka do të vazhdojë ashtu siç ishte në raport me mediet”, është shprehur Kryeziu.
Pas lajmit për hapjen e këtij kanali televiziv nga Vetëvendosje, ka pasur zëra që ky kanal do të përdorët për propagandë nga kjo parti. Por, sipas Kryeziut kritikat kanë qenë të paragjykuara, ndoshta edhe për shkak të mungesës së informacioneve.
“Kritikat sa do të mirëseardhura, kanë qenë pak sa impulsive dhe paragjykuese sepse kanë pasur shumë pak informacion se çfarë do të përmbajë. Dhe jam i sigurt që kur kjo të bëhet e qartë se TVV është vetëm një platformë shtesë hapësirë dhe kjo nuk ndryshon asgjë në raporton se që VV dhe zyrtarët e saj kanë me mediumet tjera, konsideroj që nuk do të jenë kritikat e njëjta”, është shprehur Kryeziu për Ekonomia Online.
Pas hapjes së kanalit televiziv “TVV” nga Lëvizja Vetëvendosje, ka reaguar edhe Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ), njofton Insajderi.
Sipas kësaj kësaj organizate, krijimi i këtij televizioni nga një parti politike, nuk përbënë gazetari. EFJ e ka quajtur këtë televizion propagandë.
“Televizioni i ri online TVV në Kosovë, i krijuar drejtpërdrejtë nga një parti politike. Kjo nuk është gazetari. Kjo është propagandë në shërbim të politikanëve”, thuhet në shkrimin e EFJ-së të publikuar në Twitter. /Insajderi.com/