Çka t‘thotë Kushtetuta

Hoti deklarohet për futjen e xhandarmërisë serbe në territorin e Kosovës (VIDEO)

"Veprimet tona do të jenë në përputhje me kushtetutën dhe ligjin, si dhe të koordinuara me të gjithë mekanizmat e sigurisë në vend”.

Hoti deklarohet për futjen e xhandarmërisë serbe në territorin e Kosovës (VIDEO)

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, më në fund është deklaruar për futjen e xhandarmerisë serbe në Karaçevë të Kamenicës, ditën e djeshme, njofton Insajderi.

Se trupa të ushtrisë serbe kanë kaluar nëpër territor të Kosovës, fillimisht, u morr vesh nga një video që e shpërndau në Facebook deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefali Bajqinovci.

Hoti është deklaruar një ditë pas, duke thënë se po pret raport të detajuar, ndërsa ka shtuar se do të veprojë përkitazi me Kushtetutën e Kosovës.

“Lidhur me atë që ka ndodhur dje në Karaçevë, janë angazhuar të gjitha organet përkatëse për të vlerësuar rastin. Shpejt do të kem një raport të detajizuar. Qytetarët tanë në atë pjesë nuk do të jenë pa mbrojtje të institucioneve. Veprimet tona do të jenë në përputhje me kushtetutën dhe ligjin, si dhe të koordinuara me të gjithë mekanizmat e sigurisë në vend”, ka shkruar Hot në llogarinë e tij në Facebook.

Çka dihet deri tani?

I pari që ka dhënë një sqarim deri diku më të hollësishëm ka qenë nënkryetari i komunës së Kamenicës, Faton Jakupi.

Ai ka njoftuar se ka kontaktuar me KFOR-in për të kuptuar më shumë rreth lajmit të së premtes dhe videos ku shihen trupa të xhandarmerisë serbe në territorin e Kosovës, saktësisht në fshatin Karaçevë të Kamenicës, njofton Insajderi.

Siç njofton Jakupi në llogarinë e tij në Facebook, KFOR-i e ka informuar se me shtatë gusht, dje, e premte, kanë pasur patrullime të përbashkëta, KFOR-i Amerikan, ai Turk dhe pala serbe.

“Menjëherë kam kontaktuar me KFOR, konkretisht me LMT-rajoni Lindje dhe nga ta u informova se sot me datë 07.08.2020 paskan pas patrullime të përbashkëta : KFOR-i Amerikan, Turk dhe pala serbe”, ka shkruar Jakupi në Facebook.

Megjithatë, ai thotë se nuk ka marrë përgjigje se pse u lejuan serbët të kalojnë në territorin e Kosovës.

“Po pse është lejuar që xhandarmëria serbe të futet në këtë pjesë të territorit të Kosovës ende nuk kam marrë përgjigje nga KFOR”.

Ai e ka cilësuar shqetësuese atë që ka ndodhur dhe ka paralajmëruar edhe takim të përbashkët me KFOR-in që të mos ndodhë më diçka e ngjashme.

“Shqetësuese janë këto patrullime edhe nëse janë të përbashkëta. Nga kjo që u pa sot, kërkova takim urgjent me KFOR për të diskutuar dhe kërkuar që mos të përsëriten më këso ngjarjesh”./Insajderi.com