Albulena Haxhiu: Deri tash nuk është pajtuar asnjë parti që ta rrëzojmë qeverinë

Albulena Haxhiu: Deri tash nuk është pajtuar asnjë parti që ta rrëzojmë  qeverinë

Lëvizja Vetëvendosje e ka filluar një iniciativë për organizimin e një mocioni për rrëzimin e Qeverisë Hoti, por në këtë iniciativë nuk ka aktualisht përkrahje të partive tjetra, njofton Insajderi.

Këtë jam e ka bërë të ditur, Albulena Haxhiu gjatë një prononcimi në Ora News, e cila më pas ka shtuar se “kjo qeveri aktuale po e çon vendin në katastrofe humanitare”.

“Qeveria Hoti nuk ka legjitimitet sepse nuk ka mbështetje nga qytetarët e Kosovës. Që prej ardhjes në pushtet të Hotit kemi parë vetëm dështime e sidomos për sfidën me pandeminë. Situata përpara se të vinte kjo qeveri ka qenë e menaxhueshme dhe tani ka dështuar totalisht. Një prej pikave të mosbesimit është mënyra e menaxhimit të pandemisë. Në kohën kur është rrëzuar qeveria Kurti, situata me pandeminë ishte në rregull”.

“Në kohë pandemie, ata zgjodhën që të rrëzonin një qeveri që konsiderohej si më e mira që pas shpalljes së pavarësisë pa asnjë arsyetim. Numri i rasteve të infektuar po arrin 10 mijë, ndërsa viktimave mbi 300. Kosova rrezikon të shkojë drejt një katastrofe humanitare pasi do të jetë e pamenaxhueshme nga vetë stafi mjekësor. Kjo është një shenjë për të bashkuar forcat dhe për të larguar këtë qeveri, pasi Kosova do të përfundojë me një numër shumë të lartë të infektuarish por dhe qytetarëve që humbin jetën për shkak të pandemisë”.

Ndërsa sa i përket votave për ta kaluar këtë mocion, aktualisht LVV ka 31.

Haxhiu thotë se “duhen të paktën 9 që ajo të dërgohet në Parlament e më pas 61 për ta kaluar”.

Sipas Haxhiut, sfida më e madhe për LVV është mbledhja e 9 të parave.

“Për ta bërë një mocion formalisht na duhen 40 vota ndërkohë që grupi jonë i ka të paktën 31 deputetë ndaj na duhen edhe 9. Më pas na duhen 61 për ta kaluar në Parlamentin e Kosovës. Ne po komunikojmë me parti të tjera parlamentare në opozitë apo në pushtet ku i kemi dërguar dhe një listë me pikat e këtij mocioni dhe i kemi ftuar nëse duan të kontribuojnë në këtë lëvizje apo të bëhen pjesë e saj. Deri më tani nuk është pajtuar ndonjë. Sfida më e madhe tani është mbledhja e 9 votave, më pas kur të shkojë në Kuvend situata do të jetë në favorin e këtij mocioni”./Insajderi.com