Këshilltari për media i Kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, Xhavit Beqiri, i cili është edhe profesor universitar, është deklaruar rreth procesit të mësimit që pritet të fillojë nga shtatori nëpër shkollat e Kosovës, njofton Insajderi.
Me anë të një postimi në Facebook, Beqiri thotë se mësimi në shtator duhet të nis nëpër shkolla, pasi që sipas tij, nxënësit kanë pasur mangësi në marrjen e mësimeve me metodat virtuale që nisën për shkak të pandemisë COVID-19.
Duke numëruar arsyet se pse duhet të rikthehen nxënësit nëpër shkolla, Beqiri thotë se viti i kaluar shkollor, një pjesë e të cilit është mbajtur online, ka dëshmuar se nxënësit që ishin të mirë në mësime kanë pasur rënie drastike.
Këshilltari i Kryeministrit Hoti ka renditur edhe disa arsye të tjerë, sipas të cilit, duhet të bëhen përpjekje të nis mësimi në shkolla, përkundër situatës pandemike.
Shkrimi i plotë:
E kuptoj gjendjen specifike në të cilën gjendemi, për shkak të pandemisë COVID 19, mirëpo, si mësimdhënës i Fakultetit të Edukimit, konsideroj se duhet të bëhen të gjitha përpjekjet që viti i ri shkollor 2020/’21 të fillojë në objektet shkollore.
Kur e them këtë, kam parasysh shumë faktorë, ndër të cilët po veçoj:
- Mësimi në distancë lë shumë zbrazëti në procesin e nxënies, sidomos në klasat e ulëta të fillores;
- Mësimi në distancë e thellon edhe më shumë hendekun e njohurive të nxëna në mes nxënësve të dalluar dhe atyre që janë më të dobët;
- Viti shkollor që shkoi ka dëshmuar se shumë nxënës, të cilët kanë qenë mirë me mësime, gjatë kohës së mësimit në distancë kanë pësuar rënie drastike;
- Sistemi i sotëm edukativ-arsimor kërkon vlerësim të vazhdueshëm. Ky tip vlerësimi nuk ka si të bëhet “në distancë”;
- Vijueshmëria në mësim është shumë relative, në distancë, sepse nxënësi/studenti, ndonëse është “online”, fare lehtë, mund të mos jetë fare prezent në orën e mësimit (telefonin/laptopin e ka “online”, porse vetë është në kuzhinë, apo para televizorit!);
- Në fund (edhe pse ka ende plot argumente të tjera), mungesa e shoqërizimit të gjatë, mungesa e afërsisë së bashkëmoshatarëve dhe mësimdhënësve, do të lërë pasoja afatgjata në formimin sociokulturor e psikologjik të nxënësve. /Insajderi.com/