NATO për Insajderi.com: Me xhandarmërinë serbe kishte patrullime të sinkronizuara, në të ardhmen do kemi patrullime edhe me FSK-në

NATO për Insajderi.com: Me xhandarmërinë serbe kishte patrullime të sinkronizuara, në të ardhmen do kemi patrullime edhe me FSK-në

KFOR-i, misioni i Aleancës Veri-Atlantike në Kosovë, me anë të një komunikate me shkrim, është deklaruar për Gazetën Online Insajderi rreth hyrjes së xhandarmërisë serbe në territorin e Kosovës.

Në këtë komunikatë  thuhet se ajo hyrje e forcave ushtarake serbe në tokë të Kosovës, në fakt ishte e koordinuar me forca të KFOR-it dhe përbën një simulim të patrullimit të përbashkët.

“Më shtatë gusht 2020, rreth orës 17:20, elementët e KFOR-it nga Komanda Rajonale Lindje zhvilluan një Patrullë të Sinkronizuar me homologët e Forcave të Armatosura Serbe në Linjën Kufitare Administrative në afërsi të fshatit Hodonovc, në komunën e Kamenicës”.

Sipas komunikatës, “që nga viti 2008 patrullimet e sinkronizuara zhvillohen në mënyrë rutinore së bashku nga KFOR-i dhe Forcat e Armatosura Serbe përgjatë Vijës Kufitare Administrative për të ofruar siguri dhe për tu siguruar që nuk ka aksidente”.

Gjithashtu bëhet e ditur se KFOR-i zhvillon patrulla të përbashkëta edhe me Organizatat e Sigurisë së Kosovës në afërsi të Vijës Kufitare Administrative.

“KFOR-i bashkëpunon me Organizatat e Sigurisë së Kosovës në të gjithë Kosovën, por dhe me Forcat e Armatosura Serbe në Vijën Administrative Kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Vija Kufitare Administrative shtrihet rreth 250 kilometra dhe nuk është e shënjuar qartë apo e përcaktuar nga elemente të terrenit natyror dhe të identifikueshëm, siç janë lumenjtë ose vargmalet, por është shënuar vetëm në harta”.

Në vazhdim deklarohet se “ndërsa kryejnë aktivitetet e tyre, patrullimet e sinkronizuara duhet t’i përshtatin itineraret e tyre në kufizimet e terrenit. Kjo nënkupton që patrullat e sinkronizuara të KFOR-it dhe Forcave të Armatosura Serbe lëvizin përgjatë Vijës Kufitare Administrative me një shkallë përshtatjeje të imponuar nga terreni. Sidoqoftë, në asnjë moment elementet e Forcave të Armatosura Serbe të një patrulle të sinkronizuar nuk ndahen nga anëtarët e KFOR-it dhe ky ishte rasti edhe këtë herë”.

Po ashtu, komunikata saktëson se “KFOR-i do të vazhdojë të angazhohet me të gjitha palët për të forcuar bashkëpunimin si me Organizatat e Sigurisë së Kosovës ashtu edhe me Forcat e Armatosura Serbe në përputhje me mandatin e tij për të siguruar një mjedis të qetë dhe të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë, sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999”./Insajderi.com

No description available.