Njëri po thotë se u kërcënua e tjetri se bisedoi me një mik. Të vërtetën për telefonatat mes Shalës e Ahmetit e dinë vetëm ata dy – por, perspektivat e tyre i kanë bërë publike në prononcimet për Gazetën Online Insajderi.
Anulimi i punës së një gurthyesi i ka nxjerr telashe të mëdha Ahmet Morinës, drejtorit të Urbanizmit në Malishevë.
Ai pranoi telefonata kërcënuese e më pas dikush tentoi ta konfrontojë fizikisht.
Anëtari i NISMA-s dyshimet i ka tek ish-bashkëpartiaku i tij dhe tani anëtari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Haxhi Shala.
Kjo për faktin se një nga aksionarët e gurthyeses që Morina ia ndaloi punën, është djali i deputetit Shala.
Morina, në një prononcim për Gazetën Online Insajderi, ka treguar se si rrodhi gjithçka.
“Kam anuluar një leje pune për një kompani gurthyese, ku aksionar është djali i deputeti Haxhi Shala”, tregon drejtori nga Malisheva.
“Unë si drejtor i Urbanizmit ne Malishevë, kam anuluar lejen për punën e një gurthyesi në Komisionin për Miniera dhe Minerale, dhe pas këtij vendimi kam marrë tri telefonata kërcënuese si dhe më pas ka pasur një organizim të një grupi njerëzish të cilët kanë ardhur për konfrontim fizik, por falë kolegëve të punës është shmangur një konfrontim i tillë”.
Morina rastin e ka paraqitur në polici. Ka dhënë edhe një deklaratë.
“Rasti pres të zbardhet së shpejti”, shpreson ai.
Pretendimet e Morinës dhe lidhjen e kërcënimeve me Shalën, i ka mohuar kategorikisht vetë ky i fundit.
Haxhi Shala i ka thënë Insajderi-t se pikë së pari “jam shumë i habitur se si ka dal ky lajm”.
Madje, bisedën që Morinës i ka tingëlluar si kërcenim, Shala e ka përjetuar si komunikim shokësh.
“Nuk është e vërtetë se ka pasur kërcënim, ne kemi biseduar si dy miq, biseda ka qenë e drejtpërdrejtë ku unë i kam kërkuar Ameht Morinës që ta rishqyrtojë këtë vendim sepse është i bazuar në motive politike”, thotë Shala për Insajderi-n.
“Nuk kam dashur që ta çojmë çështjen në gjyq, por kërcënimi i pretenduar nuk është i vërtetë, këto janë skenarë të tyre, dhe unë kam kërkuar nga policia që ta zbardhë rastin në fjalë”./Insajderi.com