Një nga destinacionet më të preferuar nga kosovarët për të bërë pushime nuk e ka parë fluksin e njëjtë të vizitorëve si vjetëve të mëparshme. Ulqini po vizitohet ekstremisht më pak – për shkak të pandemisë – këtë vit, krahasimisht me vjetët tjera.
Ulqini deri këtë vit ka qenë një nga vendet e preferuara të kosovarëve për të kaluar pushimet, por nuk është më kështu.
Pandemia fillimisht dhe më pas mbyllja e kufirit për Kosovën nga Mali i Zi ka bërë që numri i turistëve kosovarëve në Ulqin të bije drastikisht.
Ilir Çapuni, kryetar i Kuvendit Komunal në Ulqin, në një intervistë për Gazetën Online Insajderi, ka deklaruar se përkundër që Mali i Zi i pranon testet për COVID-19 të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, dhe me të mund të kalohet në Mal të Zi, numri i kosovarëve që shkojnë këtë vit në Ulqin është minimal.
“Dallimi i këtij vit me vjetët tjera është tepër i madh. Mund të them se ka 95 për qind më pak ka vizitorë. Madje, mund të thuhet se pothuajse fare nuk ka turistë nga Kosova”, ka deklaruar Çapuni për Insajderi-n.
Ai ka pohuar se ata pak vizitorë që këtë vit i ka bregdeti i Ulqinit janë kryesisht shqiptarë ulqinakë që jetojnë në diasporë.
“Turistët në Ulqin janë nga tanët që janë në Gjermani dhe nga ka të tjerë nga Mali i Zi”, pohon ai, duke thënë se tash ka gjasë që të rritet numri deri diku pasi “Qeveria e Malit të Zi e ka hapur kufirin me Rusinë dhe besoj se mund të na vijnë rusë”.
Çapuni ka ritheksuar se Mal i Zi i pranon testet e IKSHPK-së dhe rrjedhimisht tash do t’i pranojë edhe të laboratorëve privatë që kanë filluar të licencohen nga ministria – (vetëm sot është njoftuar se të drejtën për të bërë testime e kanë fituar 29 laboratorë privatë).
“Më parë nuk i kanë lejuar të hynë me teste të një klinike private e cila nuk ishte e licencuar, por tash meqë janë licencuar nga ministria nuk ka arsye përse mos të lejohen”, ka thënë Çapuni, “sepse nëse ka leje nga institut kombëtar nuk ka arsye përse mos të lejohen”.
I pyetur se a ka gjasa që Mali i Zi të ndryshojë qëndrim në raport me Kosovën dhe t’i hapë kufijtë, ai ka shpjeguar se kjo vendoset “nga trupa koordinues që e analizon situatën epidemoligjike edhe për rajonin dhe vendos me cilin shtet të hapën kufijtë dhe me cilin ende jo”.
Çapuni ka shtuar se nëse vazhdohet ky trend tejet i varfër i ardhjeve të turistëve, atëherë pasojat veçanërisht për komunën e Ulqinit do të jenë shumë të mëdha.
“Do të ketë pasoja të mëdha ekonomike, kjo është normale dhe e pritshme, problemet do jetë në fusha të ndryshme edhe për bizneset, por edhe për vetë administratën që do të mbledhë pakrahsimisht më pak të hyra se vjetëve të tjera”.
Ndryshe, para se pandemia të ndodhte, Mali i Zi ishte në një rritje të hovshme të vizitave nga jashtë.
Vetëm në vitin 2019 kishte 2.6 milionë vizitorë, 400 mijë më shumë sesa në vitin 2018./Insajderi.com