Nënkryetarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka folur rreth mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë Hoti.
Lëvizja Vetëvendosje ka probleme për t’i siguruar 40 nënshkrime që janë të obligueshme për thirrjen e seancës, në të cilën hidhet në votim mocioni i mosbesimit për Qeverinë.
Nagavci tha se mocioni erdhi pas deklaratave të pakënaqësisë të shprehura nga lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në lidhje me qasjen e kryeministrit në dialogun me Serbinë.
“Ne kemi parë edhe deklaratat publike të liderit të AAK-së zotit Haradinaj që u deklarua disa herë se ishte i pakënaqur me qeverinë e Avdullah Hotit dhe i kishte kryesisht vërejtjet e tij në raport me dialogun. Në këtë situatë ishte e natyrshme që edhe ne të kërkojmë veprime konkrete”, ka thënë ajo.
Ndërsa, sa i përket Partisë Demokratike të Kosovës, nënkryetarja e VV-së, tha se PDK është psudo-opozitë, pasi sipas saj çdo opozitë synon rrëzimin e Qeverisë.
“PDK-ja po tregon se është një pseudo opozitë pasi që çdo opozitë synon rrëzimin e qeverisë. Ata ndryshe vepruan me mocionin e LDK-së edhe pse ishte kohë pandemie”, përfundoi ajo. /Insajderi.com/