Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë, Naser Ramadani, derisa ishte duke raportuar në Komisionin Hetimor për Menaxhimin e Pandemisë, ka zhvilluar debat me deputetin e PDK-së, Bekim Haxhiun, njofton Insajderi.
Polemikat mes kreut të IKSHPK-së dhe deputetit të PDK-së, filluan pasi ky i fundit e ka pyetur Ramadanin se cila është arsyeja që gjatë periudhës së fillimit të pandemisë ka pasur shumë pak testime të kryera.
“S’ka pas kapacitete të resurseve humane. S’ka pas teste stabile”, është përgjigjur fillimisht Ramadani.
“Kanë qenë dy mikrobiologë dhe katër laborantë. Dhe më pas janë punësuar katër mikrobiologë dhe tetë laborantë”, ka thënë tutje ai.
Menjëherë pas kësaj ka reaguar Haxhiu duke thënë se Luksemburgu ka pasur vetëm tre mikrobiologë, mirëpo që ka kryer tre mijë teste në ditë.
“Këtu kam statistikat e Luksemburgut, kanë vetëm tre mikrobiologë dhe bënin 3 mijë teste. A janë më të mençëm ata a çka”, i është drejtuar Haxhiu-Ramadanit.
Kjo ka shkaktuar reagimin e anëtarëve të tjerë të Komisionit, që kanë dhënë vërejtjet e tyre për formën e pyetjes së deputetit Haxhiu.
“Pyetni mikrobiologët tanë dhe ata të Luksemburgut”, u përgjigj i pari i IKSHPK-së. /Insajderi.com/