Veliu nuk shkoi në komision për raportim rreth xhandarëve serbë, Musliu thotë se ai duhet ta di se mund të shkarkohet

Veliu nuk shkoi në komision për raportim rreth xhandarëve serbë, Musliu thotë se ai duhet ta di se mund të shkarkohet

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ka kritikuar patrullimet e përbashkëta të KFOR-it me Xhandarmërinë Serbe. Ajo ka hedhur kritika edhe për ministrin e Punëve të Brendshme, Agim Veliu, i cili nuk ka marrë pjesë në komision për të raportuar reth këtij zhvillimi.

KFOR, ka deklaruar se ka qenë një patrullim i përbashkët ne mes tyre dhe Xhandarmërisë Serbe.

Por, deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, mendon se këto kalime duhet të bëhen në mënyrë reciproke. Po ashtu ajo tha se nëse dëshirohet fqinjësi e mirë atëherë secili duhet të qëndrojë në territorin e vet.

“Le të na tregojë edhe KFOR-i edhe ministri Veliu se kur ka bërë një patrullim të përbashkët qoftë Policia e Kosovës, qoftë Ushtria e Kosovës në territorin e Serbisë. Këto patrullime duhet të bëhen në mes dy shteteve ose duhet të jenë reciproke. Nëse s’kemi reciprocitet dhe nëse duam fqinjësi të mirë atëherë secili duhet të rrijë brenda territorit të vet. Ne saktë s’e dimë nëse ka qenë ushtria e Serbisë apo xhandarmëria, sepse janë dy forca të ndryshme”, tha ajo.

Musliu për Veliun tha se nuk ka agjendë më të rëndësishme për Veliun,sesa raportimi për atë se çfarë ka ndodhur, sipas saj nuk duhet të humbet durimi i deputetëve pasi Veliu mund të shkarkohet

“Mosardhja e Veliut në Komision është shqetësuese. Nuk e di se çfarë agjende tjetër më të rëndësishme duhet të ketë se kjo. Në momentin kur ftohen për të raportuar nëpër komisione parlamentare gjithmonë kanë agjenda dhe detyra të tjera. Pamë ministri në këtë qeveri që shkojnë në komisione me një orë kohë, e cila është e pamjaftueshme për ta dëgjuar një ministër kushdo qoftë ai. Aq më tepër në këtë rast ministri Veliu për shkak të dikasterit që ai e udhëheqë. Ministrat duhet ta ndërrojnë këtë praktikë, ta ulin pak arrogancat dhe thjesht ta kuptojnë se e kanë obligim të raportojnë para deputetëve. Ministrat duhet ta kenë të qartë që nuk janë të paprekshëm dhe të pazëvendësueshëm. Mos të harrojnë ministrat që deputetët kanë të gjitha mundësitë dhe shanset që ta kenë në kontroll një ministër. Në fund të fundit mos t’ia humbin durimin deputetëve sepse pavarësisht se cilës parti i takon duhet ditur se mund ta shkarkojmë cilindo ministër përmes votës”, tha Musliu në “Info Magazine”.

Ndërsa të mërkurën është organizuar edhe një protestë e banorëve të Karaçevës që kërkojnë të ndalen provokimet nga Serbia. /Insajderi.com/