PDK-ja çuditet me mos-guximin e deputetëve për ta votuar projektligjin për UÇK-në

“Ishte e befasishme ajo formë e votimit, sepse qe tre muaj kemi diskutuar dhe kemi bashkëbiseduar me të gjitha grupet parlamentare dhe kemi pasur konsensusin politik dhe unitetin që këtë ligj ta trajtoj në lexim të parë".

PDK-ja çuditet me mos-guximin e deputetëve për ta votuar projektligjin për UÇK-në

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Gazmend Bytyçi, është shprehur i çuditur se si u trajtuar projektligji për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sot në seancën e Kuvendit të Kosovës, njofton Insajderi.

Ai, në një konferencë për media, të thirrur nga PDK-ja, ka pohuar se “ka qenë e befasishme dhe e pa pritshme mënyra se si u trajtua pika e parë e rendit të ditës apo për Ligjin që trajton vlerat e UÇK-së”.

Bytyçin e ka befasuar edhe mos-guximi i deputetëve që as nuk votuan pro e as kundër projektligjit, përkundër se, siç thotë ai, e kanë pasur paraprakisht pëlqimin e tyre.

“Ishte e befasishme ajo formë e votimit, sepse qe tre muaj kemi diskutuar dhe kemi bashkëbiseduar me të gjitha grupet parlamentare dhe kemi pasur konsensusin politik dhe unitetin që këtë ligj ta trajtoj në lexim të parë dhe pastaj shqetësimet t’i adresojmë në lexim të dytë dhe ta përmirësojmë”.

“Edhe më e çuditshme është se si deputetët tanë apo kolegët tanë që nuk patën guximin që të jenë brenda sallës por një pjesë e tyre qëndruan edhe jashtë kuvendit, ndërsa një pjesë e tyre qëndruan brenda dhe nuk votuan as për, as kundër, as abstenim”.

Sot, përsëri ka dështuar të votohet në parim projektligjit për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga deputetët e Kuvendit pasi nuk ka pasur kuorum, njofton Insajderi.

Kanë votuar vetëm 35 deputetë për këtë projektligj, numër i pamjaftueshëm ky për ta vlerësuar votim pro ose kundër.

Kjo është hera e dytë që nuk ka kuorum për votim të këtij projektligji.

Edhe herën e parë, pas zhvillimit të diskutimeve, projektligji u hodh në votim, por nuk kishte kuorum në sallë.

Të mërkurën, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ftoi Partinë Demokratike ta tërheqë projektligjin, me arsyetimin se “ka shumë vërejtje e pasaktësi”.

Më herët, edhe partia më e madhe në vend, VV-ja ka thënë se “ka hile” nga ata që e kanë sponorizuar./Insajderi.com