14 anëtarë po synojnë të jenë në bordin e Radio Televizionit të Kosovës, shtatë prej të cilëve pritet të emërohen nga Kuvendi i Kosovës, të cilët po mbajnë seancë plenare.
Mirëpo, ajo që vihet re është se nga gjithsej 14 anëtarë që janë propozuar vetëm dy prej tyre janë gra.
Kjo u kritikua nga deputetja e LVV-së, Mimoza Kusari-Lila e cila kërkoi respektimin e ligjit për barazi gjinore.
“Sot nga dhjetë kandidatë shqiptarë që do zgjedhin nëntë janë burra dhe vetëm një grua e propozuar, nga dy kandidatët serbë të dy janë burra dhe nga kandidat tjetër nga pakicat tjera jo serbe dhe shqiptare e kemi vetëm një grua. Shtatë kandidatë do të zgjedhën dhe të paktën do të ishin tri gra që duhet të votoheshin për bordin e RTK-së. Bordi i RTK-së ka katër anëtarë aktivë, pa kuorum vetëm një grua e përkatësisë serbe. Çfarë dua të them është se të gjitha trupat që duhet të votohen nga Kuvendi i Kosovës të jenë në respektim për barazi gjinore”, tha ajo.
Meqenëse një anëtar grua tashmë është pjesë e bordit, deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku tha se ligji do të respektohej me rastin e përzgjedhjes së një anëtare grua.
“Një nga katër anëtarët e bordit të RTK-së është e gjinisë femërorë kështu që kushtet janë të parapara dhe i plotësojnë që të zgjidhet edhe një anëtare së paku nga gjinia femërorë”, tha ai.
Për pesë vende të shumicës shqiptare për anëtarë të bordit të RTK-së janë propozuar Ejup Gojnvoci, Ilir Bytyqi, Fadil Miftari, Albinot Maloku, Petrit Musolli, Labinot Vata, Arlinda Azemi, Bajram Mjeku, Arian Krasniqi, Arsim Cubolli.
Anëtarët e bordit të RTK-së kanë mandatat tre vjeçar. /Insajderi.com