Kryetari i Alencës Kosova e Re Behgjet Pacolli, përmes llogarisë së tij në Facebook ka shprehur dyshimet për një marrëveshje të fshehtë mes qeverisë së Kosovës dhe shtetit serb, lidhur me dhënien e licencës, një kompanie për eksploatimin e minierës së Crepuljes, e cila ndodhet në Leposaviq.
Ai duke iu referuar një shkrimit të publikuar në ueb faqen e minierave, tha se kompania Altair Resources Inc. ka kryer pagesat për të marrë në pronësi minierën e Crepuljes në Leposaviç. Sipas tij, kjo kompani ka licencë që kontrollon 9.82 kilometra katror të një territori historikisht të pasur me zink, plumb dhe argjent.
“Programi i eksplorimit ka filluar në vitin 2017 ku së shpejti pritet të fillojnë shpuarjet e nevojshme, gjë që e bënë të dyshimtë faktin se si u pajis kjo kompani me këtë licencë dhe cilit institucion ja pagoi obligimet financare. Shpresoj që kjo marrëveshje nuk është një marrëveshje e fshehtë e Qeverisë sonë të dështuar me palën Serbe”, shkruan Pacolli.