Drejtoria e Arsimit në Pejë thonë se mësimi i rregullt në klasë duhet të fillojë në shtator, nëse deri në atë kohë nuk përkeqësohet situata me pandeminë COVID-19.
Siç thonë udhëheqësit e këtij sektori në këtë komunë, në veçanti fëmijët në klasën e parë dhe të dytë, ata në të gjashtën dhe nxënësit e klasës së dhjetë duhet të vijojnë mësimin në shkolla.
Drejtori i Arsimit në Pejë, Besim Avdimetaj synon që nxënësit e kësaj komune t’i kthejë në klasa me mësim të rregullt nga muaji shtator.
“Ne shpresojmë që duke respektuar udhëzuesit qe kanë dalë nga ministria e arsimit dhe grupi i ekspertëve që po punojnë, janë tre variante të fillimit të ri shkollor, ne do te synojmë variantin e parë që fëmijët të shkojnë në shkollë. …. Varianti i parë, me shku fëmijët në shkollë sidomos fëmijët në klasën e parë që ballafaqohen me mësuesen apo klasa e dytë që i kanë harruar shkronjat, klasa e gjashtë që nxënësit dalin nga klasa e pestë me një mësuese me 13 mësues dhe klasat e dhjeta. Varianti i dytë është në disa shkolla mund të mbahet mësimi në klasë për shkak të hapësirave dhe numrit të caktuar në nxënësve dhe varianti i fundit, nëse rekomandon edhe Instituti Shëndetësor mësimi në formën online apo ne distancë”, thotë ai për KP.
Avdimetaj shpjegon se do të organizojnë oraret ku klasat me numër më te madh të nxënësve do të mund të ndahen në grupe në mënyrë që të vazhdohet mësimi në shkolla.
“Kjo do të organizohet, bazuar në protokollim, klasat e mëdha do të ndahen në grupe më të vogla të nxënësve dhe sigurisht drejtorët e shkollave dhe menaxherët nëpër shkolla do t’i bëjnë oraret e caktuara për vazhdueshmërinë e mësimit në këto shkollat”, ka thënë Avdimetaj. /Insajderi.com