LSDM dhe BDI kanë paralajmëruar se marrëveshja përfundimtare për qeverinë e re do të vuloset në takimin e nesërm, më 18 gusht, ndëmrjet liderëve të të dyja partive.
Me anë të një komunikate të përbashkët, këto dy parti të Maqedonisë Veriore sqarojnë se në bisedimet e zhvilluara në nivelin e sekretarëve partiakë, Grubi dhe Nikollovski, është arritur përparim serioz në pothuajse të gjitha çështjet që çojnë në një marrëveshje për qeverinë. Dhe se duke pasur parasysh urgjencën për institucione funksionale në përballjen me sfidat e shkaktuara nga COVID-19, nesër do të mbahet një takim kryesor midis kryetarëve Ali Ahmeti dhe Zoran Zaev, ku pritet një marrëveshje përfundimtare për një qeveri të re, të qëndrueshme, të përkushtuar me një mandat katërvjeçar.
Palët presin që ditëve në vijim të vazhdojë seanca konstitutive për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Nuk shpalosin detaje për rrjedhën e negociatave, sidomos për çështjen e kryeministrit, duke marrë parasysh se kjo ishte linja e kuqe e dy palëve para se t’i fillonin negociatat e veçanërisht gjatë fushatës parazgjedhore. /Insajderi.com