Ish-kryetari i komunës së Deçanit, Rasim Selmanaj, ka komentuar zhvillimet e fundit rreth projektit së rrugws Deçan-Plavë.
Selmanaj në Info Magazine ka thënë se qëndrimet e Igumenit të Manastirit të Deçanit. Sava Janjiç, janë destruktive.
“S’ka mosmarrëveshje. Në fakt qëndrimet e Manastirit, të Sava Janjiçit janë destruktive. Nuk mendoj që ligji mund të jetë pengesë që kjo rrugë të ndërtohet. Unë dëshiroj të kthehem pak para kur kryeministër ishte Agim Çeku. Në atë kohë janë zhvilluar të gjitha procedurat për ndërtimin e rrugës tranzit”.
“Mirëpo edhe në atë kohë ka ndërhyrë Manastiri, dhe Ambasadat me ndikim në Kosovë e kanë ndaluar ndërtimin e rruges. Pra, ka qenë rrugë e ndaluar nga politikat e Manastirit”.
Ish-kreu i Deçanit shtoi se është angazhuar personalisht për ndërtimin e kësaj rruge, duke marrë edhe përkrahjen e ndërkombëtarëve dhe vet Igumenit Janjiç.
“Mirëpo jam angazhuar edhe personalisht, kam marrë përkrahje ndërkombëtare, në fund është pajtuar edhe Sava që të filloi ndërtimi i rrugës tranzit”.
“Në atë kohë i kemi asfaltuar diku 2,5 kilometra rrugë dhe dy të tjera janë hapur. Mirëpo dy vjet ma vonë ndërkombëtarët insistonin që të kem raporte të mira me Manastirin dhe në një moment u kam thënë që nuk është e mundshme që të kem raporte të mira përderisa pengohet ndërtimi i rrugës”.
“Në takim kanë qenë përfaqësuesit e Ambasadave me ndikim në Kosovë dhe gjenerali i KFOR-it në atë kohë dhe jemi pajtuar dy kilometër e gjysmë deri tek ura e vendosur nga KFOR të ndërtohet rruga. Pra, kemi një marrëveshje të nënshkruar nga unë dhe Sava Janjiçi”, tha Selmanaj /Insajderi.com/