Qeveria gabimisht ka lëshuar një komunikatë ku thotë se Bordi i emëruar nga kryeministri për Telekomin ka dhënë dorëheqje. Në fakt, çfarë ka ndodhur është se kanë dhënë dorëheqje dy zyrtarë, të cilët, Insajderi mëson se kishin presion nga Bordi për t’u larguar.
Qeveria e Kosovës ka lëshuar një komunikatë në të cilën thuhet se me shqetësim e ka pranuar dorëheqjen e Bordit të përkohshëm të Telekomit. Por, ky lajm ka dalë të jetë i pasaktë.
“Qeveria e Kosovës nuk e mirëpret aspak këtë veprim të Bordit të Telekomit. Vërejtjet e ngritura edhe nga Sindikata e Telekomit janë shqetësuese për Qeverinë si aksionar”, është thënë në komunikatën e Qeverisë.
Kryesuesi i Bordit, Mehmet Berisha, për Gazetën Online Insajderi.com, ka thënë se kjo komunikatë është gabim, pasi bordi nuk ka dhënë dorëheqje, por këtë e kanë bërë dy zyrtarë.
“Nuk është e vërtetë, ka qenë gabim i Qeverisë. Ne nuk kemi dhënë dorëheqje. Dorëheqje ka dhënë ushtruesi detyrës së krye-shefit ekzekutiv dhe ushtruesi i detyrës së zyrtarit kryesor i Financave dhe Thesarit”, tha Berisha.
Këta dy zyrtarë janë Burbuqe Hana si Kryeshefe Ekzekutive dhe Fehim Kelmendi si zyrtar kryesor i Financave dhe Thesarit.
Insajderi.com, ka kontaktuar me zëdhënësin e kryeministrit, Avdullah Hoti, për media, Xhavit Beqiri, i cili pranoi gabimin teknik që ka ndodhur.
“Është gabim teknik, nuk ka ndodhur dorëheqja e Bordit të Përkohshëm të Telekomit”, konfirmoi Beqiri.
Por, si qëndron çështje e dorëheqjeve dhe gjithë kjo situatë e krijuar?
Burime të Insajderi.com brenda Telekomit thonë se ka pasur presion të jashtëzakonshëm për zonjën, Burbuqe Hana dhe Fehmi Kelmendin që të japin dorëheqje.
Tre milionë e 200 mijë euro të cilët i ka marrë përmbaruesi Telekomit para disa jave, ishin bërë pjesë e akuzave për dy zyrtarët e dorëhequr, me kritika se pse paratë kanë qarkulluar në xhirollogarinë e Telekomit gjatë kohës sa u bllokuan llogaritë e Telekomit.
Insajderi, ka tentuar të komunikojë me Burbuqe Hana, por ka qenë i pamundur kontakti me të.
Ndërsa, Fehim Kelmendi, ish-zyrtari kryesor për Financa dhe Thesar, ka refuzuar të komentojë kur është pyetur nga Insajderi se a ka pasur presion për t’u larguar.
“Nuk dua të flasë më shumë rreth dorëheqjes e cila ka ndodhur para një jave”, tha ai duke mos mohuar pretendimet se ndaj tij është ushtruar presion.
Nga zyra e kryeministrit, Hoti, thonë për Insajderi se Qeveria do t’i marrë të gjitha veprimet e nevojshme për t’u stabilizuar situata. /Insajderi.com/