Koalicioni Aleanca për Shqiptarët & AlternAtivA: Kjo qeveri është mashtruese dhe jolegjitime

Koalicioni Aleanca për Shqiptarët & AlternAtivA: Kjo qeveri është mashtruese dhe jolegjitime

Koalicioni Aleanca për Shqiptarët & AlternAtivA e ka quajtur “qeveri mashtruese”, koalicionin e arritur qeveritar në mes të LSDM-së e Bashkimit Demokratik për Integrim, njofton Insajderi.

“Sot, kur opinioni u njoftua se është arritur marrëveshje për bashkëqeverisje mes LSDM-së dhe BDI-së, koalicioni Aleanca për Shqiptarët & AlternAtivA deklaron se kjo është qeveri mashtruese dhe jolegjitime”, thuhet në komunikatën e përbashkët të Aleancës e Alternativës.

“E para, është mashtruese, sepse të dyja palët i kanë mashtruar rëndë qytetarët dhe, e dyta, është jolegjitime, sepse për partner ka një parti që e ka grabitur forcërisht dhe me manipulime vullnetin politik të shqiptarëve. Së pari, ka mashtruar BDI-ja, e cila sot e ka shkelur me të dyja këmbët premtimin e vetëm parazgjedhor për kryeministër shqiptar dhe, së dyti, ka mashtruar LDSM-ja, e cila para zgjedhjeve thoshte se ‘në asnjë mënyrë nuk do të bëjë koalicion me BDI-në’”.

“Prandaj për koalicionin tonë kjo qeveri nuk meriton asnjë respekt politik dhe, si e tillë, do të ketë përballë 12 deputetë dhe një popull që nuk do ta lejojë mashtrimin dhe uzurpimin e vullnetit politik”, vazhdon komunikata.

“Pas këtij mega-mashtrimi, që përtej turpit në aspekt të moralit, që e duron vetëm fytyra e tyre, Koalicioni konstaton se në Maqedoninë e Veriut kemi të bëjmë me një kastë politike, që nesër do të jetë qeveri, e cila do të sundojë pa asnjë parim, por e udhëhequr vetëm nga interesa të ngushta biznesore, klanore dhe familjare”./Insajderi.com