Zemaj emëron një bord dhe tregon prioritet

Zemaj emëron një bord dhe tregon prioritet

Ministria e Shëndetësisë ka emëruar anëtarët e rinjë të Bordit për Trajtim Mjekësor Jashtë Institucioneve Shëndetësore Publike.

Ministri i kësaj ministrie, Armend Zemaj, përmes një postimi në Facebook pas emërimit të këtij bordi, ka thënë se qëllimi i politikave të tij është fuqizimi i kapaciteteve profesionale dhe shërbimeve mjekësore.

Zemaj po ashtu, tha se ky bord do ta ketë mbështetjen e tij, njofton Insajderi.

“Emërova anëtarët e rinj të Bordit për Trajtim Mjekësor Jashtë Institucioneve Shëndetësore Publike. Puna e Bordit, kompetencat dhe përgjegjësitë janë të rregulluara me udhëzimin administrativ. Bordi, në baza të rregullta, do t’i raportoj ministrit. Puna e tyre e pavarur, do ta ketë përkrahjen time të plotë.

Qëllimi i politikave tona është që të fuqizohen kapacitetet profesionale dhe shërbimet mjekësore brenda Kosovës, ashtu sikur jemi shumë të vendosur dhe të përkushtuar për të rritur sasinë dhe cilësinë e shërbimeve ekzistuese”, ka thënë Zemaj.

Po ashtu Zemaj, ka thënë se prioritet do të jetë edhe ulja e numrit të pacientëve që kanë nevojë për shërim jashtë vendit deri në 50%.

“Prioritet në këtë drejtim është ulja e numrit të pacientëve që kanë nevojë për trajtim jashtë vendit deri në 50%. Kuadrit tonë të shkëlqyer shëndetësor, ju duhen kushte për ta realizuar këtë objektiv.

Fondet buxhetore që do të kursehen, planifikojmë t’i shndërrojmë në investime për kuadrin tonë dhe pajisjet moderne. Për këtë prioritet, pres të kem edhe përkrahjen e ekspertëve vendorë e ndërkombëtarë”, përfundoi Zemaj. /Insajderi.com/