Prioritetet e Qeverisë së re të Maqedonisë së Veriut, ekonomia dhe reformat gjyqësore

Prioritetet e Qeverisë së re të Maqedonisë së Veriut, ekonomia dhe reformat gjyqësore

Kryesitë më të larta të LSDM-së dhe Bashkimit Demokratik për Integrim mbrëmë në mbledhje e mbështetën marrëveshjen për formim të shumicës së re parlamentare dhe qeveri të koalicionit me mandat katërvjeçar si dhe i konfirmuan kandidatët në kabinetin qeveritar, që do ta kryesojë mandatari Zoran Zaev, njofton Insajderi.

Në qeverinë e re të Republikës së Maqedonisë së Veriut, në vend të 26, si deri më tani, do të ketë 19 ministra apo shtatë më pak. Pas mbledhjes së organeve partiake të LSDM-së, mandatari dhe lideri partiak, Zoran Zaev tha se prioritete të Qeverisë së do të jenë ekonomia, reformat gjyqësore, projektet kapitale infrastrukturore, mjedisi jetësor dhe investimi në shëndetësi.

Vazhdon implementimi i marrëveshjeve me Greqinë dhe asaj të Prespës si dhe Marrëveshja e Ohrit.

“Kishim guximin e mjaftueshëm unë dhe Ahmeti dhe LSDM e BDI të dakordohemi që unë ta udhëheq qeverinë katër vjet, ndërsa njëqind ditët e fundit kryeministër të jetë me propozim të BDI-së me ujdi të përbashkët.

Shumica parlamentare do ta respektojë frymën e punës së përbashkët e cila nënkupton konstruktivitet, dialog, respektim të mendimit ndryshe të bazuar në argumente dhe ndërtim të demokracisë konsensuale në vend të paralelizmave, etnocentrizmit dhe mbivotimit.

LSDM dhe BDI tashmë i harmonizojnë platformat e tyre zgjedhore në programin e përbashkët qeveritar katërvjeçar”, ka thënë Zaev.

Ai potencoi se fokusi kryesor do të vihet në përforcimin e standardit ekonomik, rritjen e rrogave dhe pensioneve, hapjen e vendeve të reja të punës dhe tërheqjen e investimeve të reja si dhe mbështetjen e drejtpërdrejtë të ekonomisë vendore./Insajderi.com