Supremja e kthen në Apel për rivendosje lëndën ndaj Ilir Tolajt dhe të tjerëve

Supremja e kthen në Apel për rivendosje lëndën ndaj Ilir Tolajt dhe të tjerëve

Gjykata Supreme ka vendosur që të kthejë në Apel për rivendosje lënden ndaj ish-sekretarit të Ministrisë së Shëndetësisë, Ilir Tolaj dhe pesë të akuzuarve të tjerë të dyshuar për korrupsion.

Nga kjo gjykatë janë aprovuar ankesat e mbrojtësve të të akuzuarve Ilir Tolaj, Zenel Kuçi, Bekim Fusha, Valentina Haxhijaj, Florije Tahiri dhe Remzije Thaqit dhe sipas detyrës zyrtare ka anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore- Prishtinë-Departamenti për Krime të Rënda dhe aktgjykimin e Gjykatës së Apelit të Kosovës dhe lënda i është kthyer gjykatës së shkallës së dytë në rivendosje.

“Në çështjen penale të të akuzuarve, për shkak të veprës penale në bashkëkryerje keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, në seancën publike të kolegjit, me pjesëmarrjen e të akuzuarve dhe mbrojtësve të tyre, të mbajtur me datë 29 qershor 2020, Kolegji i Gjykatës Supreme, shqyrtoi shkresat e lëndës, aktgjykimin e ankimuar, ankesat e mbrojtësve të të akuzuarve, si dhe parashtresën e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, dhe gjeti se ankesat janë të bazuara”, thuhet në njoftim.

Aktvendimi i Gjykatës Supreme sot i është kthyer Gjykatës së Apelit për rivendosje. /Insajderi.com