Vuçiq nuk e përjashton mundësinë e shtyrjes së takimit në Uashington

Takimi në Uashington mund të mos mbahet, sërish. Përsëri për shkak të shtyrjes. Herën e parë ndodhi se Thaçi pranoi aktakuzë nga Specialja. Tani, arsye ende nuk është dhënë. Insajderi ka komunikuar me kryeministrinë. Ata thonë se “nuk kemi asgjë zyrtare”. Në ndërkohë, në Serbi është pyetur edhe Vuçiq për mundësinë e shtyrjes së takimit. Ai s’e ka mohuar se mund të ndodhë.

Vuçiq nuk e përjashton mundësinë e shtyrjes së takimit në Uashington

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, nuk e ka përjashtuar mundësinë e shtyrjes potenciale të takimit në Uashington, kur është pyetur nga gazetarët për raportimet e mediave në Kosovë se diçka e tillë edhe mund të ndodhë, njofton agjencia serbe e lajmeve Tanjug, shkruan Insajderi.

Presidenti serb më pas tha se pavarësisht se nuk mund të jetë i sigurt nëse takimi i dy shtatorit do të mbahet ose jo, është i sigurt që “kurdo që të mbahet nuk ka shanse të nënshkruaj njohjen e Kosovës, në asnjë rrethanë”.

Vuçiq pohoi se “e vetmja gjë që mund të garantoj është që do të luftoj për interesat e Serbisë në takimet si në Uashington si në Bruksel”.

Zërat për shtyrjen potenciale të takimit në Uashington – ku do të takohen delegacionet e Kosovës e Serbisë në Shtëpinë e Bardhë në ndërmjetësimin e emisarit Richard Grenell – filluan nga mediat në Prishtinë, por ende është dhënë një njoftim zyrtar për këtë.

Gazeta Online Insjaderi ka kontaktuar me këshilltarin për media të kryeministrit Avdullah Hoti, Xhavit Beqiri, i cili tha se nuk kanë asgjë zyrtare për ndonjë vonesë të mundshme të këtij takimi.

“Nuk kemi asgjë zyrtare, por në qoftë se do të ketë diçka do të iu njoftojmë”, ka thënë shkurtazi Beqiri për redaksinë.

Nëse veç ndodh të shtyhet takimi, atëherë do të ishte hera e dytë, pasi fillimisht ishte dashur të caktohej një datë e re, kur publikimi i aktakuzës për presidentin, Hashim Thaçi, ia pamundësoi udhëtimin drejt Uashingtonit./Insajderi.com