Limaj i merr Haradinajt tre zyrtarë të AAK-së nga dega e Malishevës

Limaj i merr Haradinajt tre zyrtarë të AAK-së nga dega e Malishevës

Ish-kandidati për kryetar të Malishevës, Kajtaz Gashi, i është bashkuar Nismës Socialdemokrate, njofton Insajderi.

Gashi me bashkëpunëtorët e tij nga Aleanca për Ardhmëri të Kosovës, Januz Mazreku, nënkryetar i degës dhe Avni Kryeziu i cili është anëtar i kryesisë dhe kryetar nëndege, kanë aderuar në partinë e Fatmir Limajt.

Këtë e bëri të ditur lideri i kësaj partie, i cili me anë të një postimi në Facebook, ka uruar mirëseardhje ndaj tyre.

Postimi i plotë i Limajt:

Sot i urova mirëseardhje në Nisma Socialdemokrate, ish kandidatit për kryetar të Malishevës, njëherit asambleistit në Kuvendin Komunal të Malishevës, Kajtaz Gashi me bashkëpunëtorët e tij nga AAK-ja, Januz Mazreku – nënkryetar i degës dhe Avni Kryeziu – anëtar kryesie dhe kryetar nëndege.

Kajtaz Gashi është pasardhës i familjes së shquar patriotike, Ramadan Shabanit nga Kijeva, i cili ishte një nga pleqnarët më me zë të asaj kohe, duke luajtur rol të madh jo vetëm në pajtimin e gjaqeve dhe ndaljen e hasmërisë mes shqiptarëve, por edhe në promovimin e vlerave tona kombëtare.

Ardhja e Kajtazit, Januz Mazrekut dhe Avni Kryeziut, është vlerë e shtuar për familjen tone politike. Bashkë me ta do të jemi edhe më të fuqishëm në Malishevë dhe në vend.

NISMA Socialdemokrate është një portë politike e hapur për të gjithë ata njerëz me energji pozitive të cilet duan që përmes saj të japin kontributin e tyre për vendin dhe kombin. /Insajderi.com