Takim para punimeve, akterët do të mblidhen në Deçan për rrugën drejt Plavës

Takim para punimeve, akterët do të mblidhen në Deçan për rrugën drejt Plavës

Rruga e shumëpërfolur, Decan – Plavë, ku janë pjesë e problemit janë bërë shumë palë, më së shumti i ka përplasur maturitetet lokale të Komunës së Deçanit dhe autoritetet qendrore të Kosovës. Mes kryeministrisë dhe Komunës së Deçanit nuk ka harmoni në qëndrime.

Ndërsa kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti kërkonte që të pezulloheshin punimet në zonën e mbrojtur në afërsi të manastirit të Deçanit, kryetari i kësaj komune, Bashkim Ramosaj insistonte që punimet të vazhdonin. E pas një takimi që zhvilluan të dyja palët u dakorduan që punimet të ndërpriten për një kohë. E përkundër kësaj ndërprerje, Ramosaj beson që shpejt do nisin punimet e kësaj rruge, njofton Insajderi.

Në një intervistë për KosovaPress, kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj ka thënë se ekziston disponimi që të gjendet një zgjidhje e pranueshme për të gjitha palët.

“Disponimi i të gjithëve është të gjendet një rrugë (zgjidhje) e përbashkët, e pranueshme për të gjithë. Ne jemi peng i shumë marrëveshjeve, i shumë ligjeve, i shumë lëndimeve të cilat një nga një duhet të shqyrtohen në detaje. Në këtë qytet do të jetojmë bashkë dhe nga manastiri gjithmonë kam kërkuar që t’i respektojë nevojat e qytetarëve të komunës së Deçanit, dhe po ashtu edhe unë si kryetar jam i gatshëm t’i respektoj dhe t’i mbroj edhe nevojat dhe interesat e manastirit.[…] Unë jam i bindur që do fillojnë (punimet e rrugës) e kam një bindje time dhe me aq sa unë di dhe kam kontakte me njerëz të faktorit ndërkombëtar se jemi në rrugë të mbarë dhe Deçani po merr vëmendjen e duhur, vetëm duhet të kemi qasjen e duhur për zgjidhjen e këtyre probleme. Nuk po flasim për konteste politike, nuk po flasim për zbatime apo moszbatime të ligjeve e as për kontestin historiko-trashëgimor-fetar e tjera dhe nuk jemi duke bërë folklorizëm patriotik e politik, po duam këtij qyteti t’i japim jetë”.

Lidhur me problemin e njëjtë, është deklaruar edhe ish kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili ka thënë se kjo çështje nuk duhet të politizohet, dhe se kjo rrugë i sjellë të mira të gjithëve, pa dalim etnie e religjioni.

“Me këto ndryshimet e qeverive u vonuan pra dinamika e punës, tani jemi para një takimi të rëndësishëm dhe është tepër me rëndësi të sqarojmë që qëllimi edhe i kryetarit të Deçanit dhe të gjithë neve është që të përafrohen njerëzit. Pra, rruga t’i afrojë njerëzit e Kosovës me ata të Malit të Zi, në këtë rast të Deçanit me Plavën por edhe kulturat, besimin dhe fenë. Pra, rruga vetëm të mira do të sjellë, edhe për kishën, xhaminë dhe teqenë. Unë besoj që do të kryhet ajo rrugë, nuk e shoh të nevojshme të krijohet një temë politike prej kësaj rruge dhe artificiale”.

Por, ky problem, nuk i ka lënë anash pa i shqetësuar edhe qytetarët e zonës, ku ata shprehen se në rast se kjo rrugë nuk përfundon, atëherë nga komuniteti do të këtë edhe protesta.

Për ndaljen e punimeve në rrugën brenda zonës së mbrojtur të Deçanit pati reagime të shumta. Gjithçka nisi pas reagimit të patriarkut të manastirit të Deçanit, Sava Janiq, e që u pasua edhe me reagime edhe nga presidenti serb, Aleksandër Vuçiq.

Kujtojmë që pak pas e mori mandatin si kryeministrit i Kosovës, Avdullah Hoti bëri përurimin e një segmenti të rrugës Deçan-Plavë./Insajderi.com