Arrestohet në Londër bosi shqiptar i trafikut të emigrantëve

Arrestohet në Londër bosi shqiptar i trafikut të emigrantëve

Kalimi me gomone i emigrantëve nga Franca drejt Anglisë është kryefjalë e medias britanike muajin e fundit.

Më shumë se 5000 persona kanë mbërritur në këtë formë në brigjet e jugut të Anglisë. Gazeta britanike “Sunday Express” i ka kushtuar një shkrim të gjatë sot se kush janë organizatorët e këtij trafiku që prodhon miliona euro, njofton Insajderi.

Policitë e vendeve evropiane kanë lëshuar 20 urdhër arresti ndërkombëtar ndaj atyre që janë të përfshirë në këtë trafik. Duke iu referuar kësaj gazete, Top Channel raporton se në Angli është arrestuar një shqiptar që kërkohet nga Franca për trafik emigrantësh drejt Anglisë.

Ai është Fredi Nika (47) i arrestuar në zonën Edgware, në veri të Londrës. Franca ka lëshuar një urdhër arresti ndërkombëtar për Nikën.

Fredi Nika mbërriti në Angli në vitin 1999 dhe iu dha e drejta e azilit. Ai është dënuar në qershor 2019, në mungesë me pesë vjet burg nga një gjykatë franceze për trafikim njerëzish.

Gjykatës së ekstradimeve Westminster Magistrates në Londër iu tha se sipas konkluzioneve të procesit gjyqësor në Francë, rezulton se Nika ishte kreu një organizate kriminale shqiptare që sillte emigrantët në Francë e më pas kundrejt shumës 8.000 deri 9.000 funte i çonte në Angli.

Sipas gjykatës franceze cituar nga “Sunday Express”, nga shkurti deri në prill 2016, Fredi Nika udhëhoqi 11 operacione trafiku nga Franca për në Angli. Në procesin e ekstradimit, Fredi Nika mohoi përfshirjen në trafik emigrantësh dhe ngriti pretendimin se dikush i kishte vjedhur identitetin.

Megjithatë gjykatësja britanike Nina Tempia tha se ai duhet të ekstradohet në Francë nga ku mund të aplikojë për t’u rigjykuar./Insajderi.com