Mbyllen 12 mijë vende pune në Maqedoninë e Veriut, shkaktarë – COVID’19

Mbyllen 12 mijë vende pune në Maqedoninë e Veriut, shkaktarë – COVID’19

Kriza e shkaktuar nga korona virusi ka mbyllur 12 mijë vende pune në mbarë republikën e Maqedonisë së Veriut. Kjo është shifra zyrtare e të papunëve, përfshirë muajin korrik që e publikoi drejtorja e Agjencisë së punësimit Jovanovska për Radio Evropa e Lirë.

Gjysma e tyre kanë mbetur pa punë për shkak të skadimit të kontratës së punës gjegjësisht punëdhënësit nuk ua kanë vazhduar angazhimin. Më shumë largime ka në veprimtaritë prodhuese.

“Nga numri i personave të papunës, 12 mijë gjegjësisht 11.734 persona janë në evidencë dhe për të njëjtit është evidentuar ndërprerja e marrëdhënies së punës gjegjësisht ç’lajmërim nga sigurimi i
obliguar social në periudhën pas 11 marsit 2020, që përkon me fillimin e krizës së virusit. Përqindja më e madhe e personave të papunës që janë në evidencë, kanë pasur ndërprerje të marrëdhënies së punës, për shkak të skadimit të kontratave për kohë të caktuar, ky numër është rreth 48%”, deklaroi Biljana Jovanovska- drejtoreshë e Agjencisë së Punësimit.

Në faqen zyrtare të Agjencisë së punësimit edhe më tej qëndrojnë të dhënat deri në muajin maj gjegjësisht për dy muajt e fundit nuk ka numër të saktë të qytetarëve që janë paraqitur si të papunë. Praktika për publikim të rregullt të numrit të largimeve nga paraqitja e pandemisë u bë pjesë thuajse e të gjitha vendet në botë.

SHBA publikoi se në katër muajt e fundit, rreth 1,1 milionë punëtorë kanë kërkuar ndihmë nga shteti pasi kanë mbetur pa punë. Britania dhe Gjermania kanë regjistruar rritje rekord të papunësisë në tremujorin e dytë të vitit. /Insajderi.com