Mustafa: Nuk ka disponim të shumicës për zgjedhje të parakohshme

Mustafa: Nuk ka disponim të shumicës për zgjedhje të parakohshme

I pari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se nuk trembet nga zgjedhjet e parakohshme, poqë nuk ka disponim nga shumica për të pasur zgjedhje.

Lëvizja Vetëvendosje, kishte iniciuar një mocion mosbesimi për shkarkimin e Qeverisë Hoti, por nuk ka arritur ta realizojë objektiven e parë; nënshkrimin e dyzet deputetëve që i duhen për thirrjen e seancës së mocionit.

Por, sipas Mustafës kjo sfidë i takon Lëvizjes Vetëvendosje ‘jo’ Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“Sa i përket iniciativës së VV për mocion, ne nuk kemi asnjë telashe të shkojmë në zgjedhje në momentin që vendos shumica. Unë nuk shoh disponimin e shumicës për rrëzim të qeverisë dhe zgjedhje të tjera. Prandaj mocioni bie që është sfidë për Vetëvendosjen dhe jo për LDK-në, sepse atyre iu kanë mbetur letrat në duar”, tha Mustafa.

Për postin e presidentit, Mustafa ka thënë se nuk duhet të trajtohet deri të sfidohen me mandatin kushtetues.

“Në LDK nuk është trajtuar pozita e Presidentit dhe nuk do të trajtohet derisa nuk sfidohemi me mandatin kushtetues, prandaj edhe nuk kemi kurrfarë kundërshtimesh por as pajtimesh me askënd”, ka thënë Mustafa në përgjigjiet elektronike për KosovaPress.

Sot, Isa Mustafa do të zhvillojë takim me si kryetar i LDK-së me dy kryetarët e partive bashkeqeverisëse, Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj si dhe me kryeministrin e Kosovës nga subjekti tij politik, Avdullah Hotin. /Insajderi.com.